Ekonomi Raporti i BSH: Rritja e çmimeve nuk do të ndalet deri në...

Raporti i BSH: Rritja e çmimeve nuk do të ndalet deri në qershor

Rritja e çmimeve pritet të vijojë deri në qershor. Është ky vlerësimi që bën Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Politikës Monetare.

Në analizën e institucionit mbikëqyrës bankar, në rritjen e deritanishme të inflacionit ka ndikuar kryesisht shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburantet. Të dhënat tregojnë se në dy muajt e fundit, inflacioni shënoi 3.7%, niveli më i lartë në një dekadë.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të fillojë të normalizohet në gjysmën e dytë të këtij viti dhe të zbresë pranë objektivit të saj prej 3% vitin e ardhshëm. Megjithatë, kjo do të varet edhe nga ecuria e tregjeve ndërkombëtare.

Duke analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë, institucioni mbikëqyrës bankar vendosi të lërë të pandryshuar në 0.5% normën bazë të interesit për lekun. Pas reduktimit të riskut të pandemisë, niveli i lartë i inflacionit është shndërruar në rrezikun kryesor për rimëkëmbjen e ekonomisë.