Skena politike në Kosovë ka një qëndrim unanim lidhur me “Open Balkan”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një intervistë për Euronews Albania. Ai theksoi se me gjithë marrëdhëniet shumë të mira me qeverinë shqiptare, çështja e “Ballkanit të Hapur” është një qëndrim që mbetet i pandryshuar për politikën në Kosovë.
“Si parti i kemi mbajtur shumë mirë marrëdhëniet me të gjitha partitë në Shqipëri, edhe me PS. Por jo për të gjitha çështjet pajtohemi. Edhe në Kosovë ndonjëherë mund të pajtohemi edhe me kundërshtarët tanë politikë. Te çështja ‘Open Balkan’ skena politike në Kosovë ka rezervat e veta, duke përfshirë edhe ne, por besoj se kemi mirëkuptimi që edhe në raport me qeverinë në Tiranë të kemi mirëkuptim për këndvështrimet që kemi. Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e barabartë në çdo tryezë rajonale”, tha Krasniqi.
Sipas tij, në Ballkanin Perëndimor ku ka ende çështje politike të pazgjidhura si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmarrja e nismave ekonomike pa ndërmjetësinë e një interlokutori si BE bëhen të vështira.
“Në rastin ku Serbia tenton të cenojë sovranitetin e Kosovës nuk mund ta anashkalojmë këtë fakt dhe të mendojmë se gjërat mund të zgjidhen vetëm më lehtësimet tregtare. Por kjo s’do të thotë se jemi kundër bashkëpunimit rajonal. Dhe shpresojmë që në një të ardhme të gjendet zgjidhja që Kosova të ndihet si e barabartë”, tha kreu i PDK-së në Euronews Albania.