Bota Si dhe ku janë të rreshtuara forcat e NATO-s në Europën Lindore

Si dhe ku janë të rreshtuara forcat e NATO-s në Europën Lindore

Kërcënimi i një pushtimi të Ukrainës nga ana e Rusisë i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe mbrojtjes së SHBA-së dhe NATO-s në Europën Lindore.

NATO ka katër batalione në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që funksionojnë me rotacion. Secili prej batalioneve është i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania ose SHBA, dhe përmban trupa nga disa vende anëtare të NATO-s. Muajin e kaluar, Aleanca tha se të katërta batalionet “janë të forta dhe gati për luftë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO është gjithashtu gati që të përforcojë edhe më tej prezencën e saj në Europën Lindore, duke dërguar trupa të tjerë në zonë.

Ndërkohë, SHBA ka bazat e veta në Lituani dhe Rumani, bashkë me disa baza në Poloni. Presidenti Joe Biden, javën e kaluar, aprovoi dërgimin e 3000 trupave shtesë në Poloni, Gjermani dhe Rumani.

Aktualisht, NATO nuk ka trupa në Ukrainë dhe nuk ka në plan që të dërgojë trupa atje. Por, edhe pse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, Aleanca i jep këshilla strategjike këtij vendi.

Asete të tjera të NATO-s në rajon përfshijnë një sistem mbrojtës raketor në Rumani, e dizenjuar për të “kapur, gjurmuar, sulmuar dhe shkatërruar” raketat balistike në atmosferë. Një sistem i ngjashëm mbrojtës do të bëhet funksional në Poloni këtë vit.