Robin Gosens ishte goditja e Interit në merkaton e dimrit, me anësorin gjerman që iu bashkua zikaltërve për një shifër prej rreth 25 milionë eurosh dhe tashmë po punon për t’u rikuperuar nga dëmtimi dhe për të zbritur sa më shpejt në fushë.
Por në pritje për të treguar aftësitë e tij në fushën e blertë, Gosens ka dhënë një intervistë për DAZN, ku ka folur për shumë aspekte të karrierës së tij, teksa ka zbuluar edhe kundërshtarin më të vështirë me të cilin është përballur.
Dëmtimi – “Me këtë lloj dëmtimi është mirë të mos nxitohesh, pasi do kohën e vet të rikuperimit. Jam pranë rikthimit, pasi po stërvitem tashmë në fushë, por nuk dua t’i vë vetes presion dhe afate”.
Impresioni i parë te Interi – “Më ka bërë përshtypje madhështia e klubit. Vij nga një tjetër klub i madh si Atalanta, megjithatë Interi është tërësisht diçka tjetër”.
Rrugëtimi në karrierë – “Jam krenar për rrugëtimin tim të karrierës, pasi kam punuar gjithmonë shumë, për të arritur deri këtu. Ndoshta kam më pak talent se të tjerët, por pikat e mia të forcës kanë qenë gjithmonë mentaliteti dhe disiplina, falë të cilave kam ardhur kaq larg. Të luaj me Interin më bën shumë krenar”.
Komplimentet e Merkel në verë – “E njoh Angela Merkel, pasi është pika jonë e referimit prej shumë vitesh dhe më vjen shumë mirë për fjalët që ka thënë për mua. Me siguri gjithçka lidhet me paraqitjen time në Kampionatin Europian në verë”.
Dëshira për t’u bërë polic – “Është e vërtetë dhe mendoj se pa futbollin, do të isha bërë një polic, madje një polic i keq dhe ky është mbiemri i duhur. Deri në moshën 18-vjeçare luaja vetëm me shokët e mi dhe nuk shkoja në shkolla futbolli, ndaj doja të ecja në gjurmët e gjyshit tim, që kishte qenë polic. Më pas u transferova në Holandë dhe jeta ime mori një tjetër rrjedhë, pasi kuptova se mund të bëhesha një futbollist profesionist”.
Objektivat – “Dua të debutoj sa më shpejt me Interin dhe të shndërrohem në një pikë referimi, si këtu në klub, ashtu edhe në përfaqësuese. Dua një vend në Katar 2022, por e di që gjithçka do të varet nga paraqitjet e mia me fanellën e Interit”.
Kundërshtari më i fortë – “Douglas Costa. Ka shpejtësi, teknikë të lartë dhe shpërthim të jashtëzakonshëm. Kur është në formë, nuk ndalet nga askush, ndaj shpresoj të rikthehet sërish në nivelet e tij më të mira”.