Nga Durrësi ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Shtëpia Lirisë”, Ardian Muka, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun demokrat Lulzim Basha se mashtroi prokurorët belgë nën betim duke dhënë një variant krejt tjetër të çështjes Toyota Yaris. Ai i bëri thirrje edhe deputetit demokrat të Durrësit Ferdinand Xhaferri që t’ u tregojë durrsakëve atë që Basha deponoi para prokurorëve belgë, të cilët sipas tij do t‘i shkojnë në fund këtij hetimi.
“Nuk ju lidh gjë me bravën ju. Ferdinand thuaju zgjedhësve çfarë deponoi Basha para prokurorëve belgë. Duhet t’ua thuash mos u bëj hipokrit. U thirr për bashkëpunim për bashkëpunim me organizatë kriminale që dispononte para trafiku, por jo vetëm kaq, por kjo është vetëm njëra anë, por u kap si mashtrues nën betim. Hajde Ferdinand t’ua themi të vërtetën durrsakëve. Mos dil nëpër qytet ose dil dhe thuaja çdo demokrati. Prokurorët e Belgjikës nuk janë prokurorë të Ramës, por janë prokurorë të betuar të mbretit dhe nuk ka gjë që i thyen ata. U dha një variant krejt tjetër, e ndërroi krejt pllakën dhe u kap si mashtrues nën betim. Vepër kriminale penale. Përveç të tjerave ia mbylli Edi Rama “Toyota Yaris” me një njeri, por prokurorët e Belgjikës nuk janë të Edi Ramës dhe do t’i shkojnë deri në fund këtij operacioni. Ata kanë me qindra mijëra tabulate e dokumente”
Dhe kjo është arsyeja sipas Berishës që Basha nuk do të prezantojë kandidatin e tij për kryebashkiak të Durrësit Luan Hoti, ndërsa i bëri thirrje këtij të fundit të heqë dorë.
“Prandaj Basha nuk guxon të paraqesë Luanin këtu, por fshihet pas fustanit të Gridës dhe mustaqeve të Salinajit. Luan hiq dorë mos u bëj kall kandidat u bëj thirrje për Ardi Mukën demokratëve kudo që janë”, tha Berisha.