Pas projektit të Portit të Durrësit, për Sali Berishën, fshihen Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Nga Durrësi ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka, në Durrës, tha se pas kompanisë që Emaar ka shitur, fshihet kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha.
“Çfarë ka ndodhur 8 vite. 8 vite në Durrës ka ndodhur beton, Gjush, Gjush, beton, Gjush dhe asgjë tjetër. Por tani së fundi në një akt të pashembullt në 3000 vite, Edi Rama dhe Lulzim brava i vërsulen Portit të Durrësit. Në 3000 vite Durrësi ka njohur edhe mynxyra, pushtues të egër, ka njohur tërmete të rënda, por edhe cuname. Durrësi është ringjallur nga porti. Porti ka qenë burimi i forcës jetësore të këtij qyteti. Porti në të vërtetë ka qenë një objekt i shenjtë për këtë qytet.
Dhe vjen një ditë gjejnë një arab multimiliarder, na thonë se portin Emaari do ta bëjë si Dubai. Porti i Durrësit në 3000 vite gjithnjë ka qenë i ngjitur me qytetin. Por në vitin 2012 u bë projekti edhe jo kaq i kushtueshëm me të cilin nëpërmjet thellimit porti do merrte anije 40-50 mijë tonëshe të mjaftueshme për Shqipërinë. Por që të kryesh një vendim të tillë pa i pyetur qytetarët që e kanë atë simbol të ekzistencës së tyre, krenari, asnjë pushtues nuk do ta bënte këtë. Këtë e bën Edi Rama me Lulzim bravën sepse duan me çdo kusht të pasurohen.
Na del që Emaari ishte vetëm kallp i cili pasi krijoi kompani në Shqipëri, tani thotë nuk jam më. Kujt ia shiti? Kompanisë Rama-Basha.
Cila është kjo kompania që i bleu 100% Emaarit aksionet? Emri i saj është fshehur në shpellat offshore të parave të pista dhe të mafies. Është Edi Rama dhe Lulzim brava. Vendimi për portin duhet të jetë vendimi juaj. Ju bëj thirrje mos blini asnjë metër katrorë nga mafia Rama-Basha që kanë filluar të shesin sipërfaqe ndërtimi. Gjithçka do t’i nënshtrohet një procesi transparent para jush. Porti është i qytetarëve të Durrësit”, deklaroi Berisha.