Kjo është banesa në fshatin Pinet të Ndroqit në Tiranë që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike kanabis.
Shtëpia e kanabisit u zbulua nga një aksion i forcave të Komisariatit Nr.6 dhe Policisë së Tiranës.
Tre persona u arrestuan, 2 nga të cilët punonjës të OSHE, si dhe u proceduan penalisht kryeplaku i fshatit dhe punonjësi i policisë së zonës SPZ.
Shtëpia ishte përshtatur nga një grua si ambient për të kultivuar kanabis.
Në prangat e policisë ranë Eriban Daja 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, Qemal Hasa 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe Erion Mema 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Ndërsa u proceduan kryeplaku Elez Kapllani 61 vjeç dhe punonjësi i policisë së zonës Adrian Malliku 39 vjeç.
Në kërkim është shpallur 32-vjeçarja Rudina Xhambazi e cila kishte marrë me qira këtë banesë. Kjo e fundit së bashku me Eriban Dajën, i cili u kap në banesë gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.
Gjatë kontrollit të telefonit të 29-vjeçarit Daja, iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.
Gjatë aksionit policia sekuestroi 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.