Ndërsa bota monitoron lëvizjet e trupave ruse në Bjellorusi, autoritetet ukrainase janë po aq të shqetësuara, në mos më shumë, për mundësinë e stërvitjeve ushtarake në detin Azov.
Rusia kishte njoftuar më herët se pjesë të këtij deti dhe atij të Zi do të bllokoheshin për të gjitha anijet, përfshirë ato tregtare, në mënyrë që marina e saj të kryente stërvitje.
Të indinjuara, autoritetet në Kiev kanë deklaruar se do t’i përgjigjen paralajmërimit rus.
Deti Azov dhe Deti i Zi janë jetikë për eksportet e Ukrainës dhe për jetesën e shumë banorëve.
“Marrim ende frymë. Pak nga pak. Kemi diçka për të ngrënë, por s’jemi të pasur”, thotë Anatoli Yurievich, peshkatar nga Jalta
Anatoli është 73 vjeç, 50 prej të cilave i ka kaluar duke peshkuar. Ai thotë se nuk e ka ndjerë rritjen e tensioneve me Rusinë, por shton se, nëse ujërat e Azovit bllokohen, gjërat do të bëhen më të vështira.
“Çfarë të bëjmë tjetër? Këtu nuk ka punë, çdo gjë është e mbyllur. Vetëm biznesmenët punojnë në tokë. Për ne do të jetë fundi”, shprehet Anatoli Yurievich, peshkatar.
Deti i Azovit ndahet mes Ukrainës dhe Rusisë, me dy fqinjët që rrezikojnë çdo ditë konfliktin mes tyre. Anijet ruse janë më të shumta në numër se ato ukrainase dhe shpesh herë flota e tyre i afrohet brigjeve. Njoftimi për një stërvitje ushtarake javën e ardhshme ka bërë që tensionet të rriten.
Jo shumë larg nga Anatoli, banorët e qytetit-port të Mariupolit deklarojnë se presioni aktual aty nuk do të ndihej po të mos ishte për mediat.
“Mediat dhe gazetarët janë të prirur t’i ekzagjerojnë gjërat dhe ajo për të cilën kemi nevojë ne është informacioni i balancuar. Fatkeqësisht, askush nuk na jep informacione korrekte”, thotë një banor.