Aktualitet Serbia mund të shfrytëzojë situatën në Ukrainë për të nxitur destabilitet në...

Serbia mund të shfrytëzojë situatën në Ukrainë për të nxitur destabilitet në Kosovë

Kosova është e shqetësuar se Serbia mund të shfrytëzojë konfliktin në Ukrainë dhe vëmendjen e zhvendosur ndërkombëtare drejt këtij konflikti për të shtyrë përpara përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për radion britanike “Times Radio”. Osmani tha se edhe Kosova është e shqetësuar me ngjarjet dhe një konflikt të mundshëm ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa shtoi se Kosova mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Natyrisht ashtu si pjesa tjetër e botë demokratike, ne jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë. Së pari dëshiroj të shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrianës, si dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi”, është shprehur Presidentja e Kosovës.

Më pas, Osmani ka shprehur shqetësimin se si një konflikt i mundshëm atje mund të shfrytëzohet nga Serbia për qëllimet e veta destabilizuese në Kosovë.

“Serbia është plotësisht e mbështetur dhe e koordinuar me aleatin e saj, Rusinë. Ne jemi të shqetësuar për bashkërendimin e tyre të mundshëm si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë. Prandaj, mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, vërtet mund të ketë një efekt përhapës në shumë pjesë tjera të botës”, tha Osmani për “Times Radio”.