Pas bredhjes nëpër një numër vendesh evropiane, nga të cilat u dëbuan, duke përfshirë Bosnjën ku qëndruan së fundi, anëtarët e grupit hebre Lev Tahor u vendosën në Maqedoninë Veriore.
Grupi ka migruar nga një vend në tjetrin muajt e fundit, kryesisht në Evropën Lindore dhe rreth dhjetë ditë më parë, pas qëndrimit në Bosnje, u dëbuan prej aty.
Sipas mediave të huaja dhe rajonale, grupi më pas ka qëndruar në Mal të Zi për një kohë të shkurtër, më pas është nisur për në Shqipëri dhe aktualisht janë duke u vendosur në qytetin maqedonas të Kumanovës.
Sipas postimeve të popullatës lokale në rrjetet sociale, banorët e qytetit shihen duke dialoguar me disa nga të rinjtë e grupit dhe duke u përpjekur të mësojnë për identitetin dhe aktivitetin e tyre.
Members of israeli extremist cult Lev Tahor in Kumanovo, North Macedonia "לב טהור"https://t.co/XepUuqcyQU
More details: https://t.co/npAFzdFSiH#LevTahor #Israeli #NorthMacedonia #לבטהור pic.twitter.com/XDbIQ1IOWX— Tetova Online (@TetovaOnline) February 13, 2022
Përveç kësaj, banorët që zbuluan sjelljen e tyre të çuditshme në kamerat e sigurisë përreth shtëpive të tyre, shpërndanë pamjet në rrjetet sociale.
“Lev Tahor” është një grup konservator hebrenjsh. Aktualisht ka rreth 300 anëtarë dhe fjalë për fjalë do të thotë – “zemër e pastër” – nga pasazhi biblik: “Krijo në mua një zemër të pastër, o Perëndi, dhe përtëri një frymë të palëkundur brenda meje” (Psalmi 51:10).
Ata kanë rregulla strikte në lidhje me ushqimin dhe lutjet e tyre janë më të gjata dhe më të forta se ato në besimet e tjera hebraike.
Lideri i grupit është Šolmo Helbrans, i lindur në vitin 1962. Ai dhe ndjekësit e tij janë akuzuar vazhdimisht për abuzim ndaj fëmijëve, gjë që shpesh ndryshon vendbanimin e tyre.
Në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në nëntor 2021, u njoftua se drejtuesit kryesorë të Lev Tahor, Nahman Helbrans dhe Mayer Rosner, u dënuan për planin për të rrëmbyer një vajzë 14-vjeçare.
“Lev Tahor” është prej vitesh në kërkim të një shteti që do t’i lejonte zhvillimin e besimit të tyre, të bazuar në interpretimin ultra-ortodoks të Torës.