Konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon prej kohësh dhe në shumë fronte, jo vetëm në atë ushtarak. Ndarja fetare mes patriarkanës së Kishës Ortodokse të Moskës me atë të Kievit, si dhe lufta për përdorimin e gjuhës ruse apo ukrainase, janë dy fushabeteja të rëndësishme në këtë konflikt.
Këmbanat ftojnë besimtarët në meshë, në Katedralen e Shën Vladimirit në Kiev. Në një vend, i cili ndodhet nën kërcënimin ushtarak të Rusisë, të gjitha sferat e jetës shënohen nga konflikti me Moskën, përfshirë edhe ajo shpirtërore.
Në vitin 2018 kisha u nda nga patriarkana e Moskës, si rezultat i tensionit të krijuar nga aneksimi i Krimesë nga Rusia si dhe lufta në Ukrainën lindore.
Siç thonë udhëheqësit e Patriarkanës së Kievit, kisha e kontrolluar nga Moska është ‘kolona e pestë’ apo elementi ‘ngatërrestar’ i Kremlinit.
“Për fat të keq, ka shpesh elementë të politikës në kishë, nëse themi se Kisha Ortodokse ukrainase e patriarkanës së Kievit është kisha e popullit ukrainas, kjo reflektohet gjithmonë me fjalët dhe veprat të cilat qëndrojnë në mbështetje të popullit ukrainas dhe pavarësisë së vendit. Në të njëjtën kohë në kishën ukrainase të patriarkanës ruse, ka elementë dhe kryhen lutje për interesat ruse”, thotë Prifti Olexandr Shmuryhin, i Kishës Ortodokse ukrainase.
Por Kisha Ortodokse Ukrainase nën patriarkanën e Moskës është mbizotëruese në vend, në varësi të saj ndodhen qendrat e mëdha historike të besimit ortodoks, si Manastiri i Shpellave në Kiev.
Përfaqësuesit e patriarkanës së Moskës thonë se ndarja brenda kishës ortodokse është artificiale dhe ata mohojnë se mbështesin interesat e Kremlinit në Ukrainë.
“Gjithë kjo zhurmë informacionesh po dëmton vendin tonë. Nëse jemi realisht patriotë dhe jo të rremë, duhet të ndihmojmë në qetësimin e situatës. Ne mbështesim qeverinë dhe presidentin tonë që bën thirrje për qetësi”, thotë Nikolai Danilevich, i Kishës Ortodokse Ukrainase, në varësi të Patriarkanës ruse.
Gjuha është bërë gjithashtu pjesë e përplasjeve mes Moskës dhe Kievit, por edhe mes vetë ukrainasve. Politikanët ukrainas duket se janë të bashkuar për ta bërë gjuhën ukrainase të vetmen gjuhë zyrtare të shtetit.
“Qëndrimi i partisë Holos është se ne kemi një gjuhë zyrtare që është gjuha ukrainase. Dhe sa i takon pjesës tjetër, ne e dimë se secili mund të flasë gjuhën që dëshiron. Ne e kuptojmë se për dekada gjuha ruse ishte futur në Ukrainë, sepse ne ishim pjesë e Bashkimit Sovjetik, por tani duhet t’i japim gjuhës ukrainase sa më shumë mbështetje që të mundemi”, thotë Kira Rudyk, udhëheqës i Partisë Holos.
Për kritikët e politikave gjuhësore të qeverisë ukrainase, sikurse Ivan Stepurin, botues librash në rusisht, politizimi i gjuhës është joproduktiv për vendin. Ai është mes atyre që refuzojnë masat e reja të cilat thotë se e bëjnë gjithnjë e më të vështirë botimin në rusisht.
“Është shumë e vështirë për një person që ka lexuar rusisht gjatë gjithë jetës së tij të kalojë papritur në gjuhën ukrainase. Por veçanërisht në Ukrainë ka shkrimtarë të mrekullueshëm që shkruajnë në rusisht dhe që besojnë se rusishtja është pjesë e kulturës ukrainase, si gjuhët e tjera të atdheut tonë shumëkombësh”, thotë Ivan Stepurin, botues.
Konflikti i armatosur është gjithashtu një konflikt politik, fetar dhe kulturor, një thyerje fizike dhe shpirtërore mes Rusisë dhe Ukrainës, që në varësi të rezultatit, mund të jetë vendimtar mbi këto çështje./VOA