Ndërsa Moska paralajmëroi se po tërheq disa nga trupat e vendosur në kufirin me Ukrainën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, nuk i kursen sulmet ndaj shteteve perëndimore. Në një postim në Telegram, ajo shkroi: “15 shkurt 2022 do të futet në histori si dita kur propaganda perëndimore e luftës u turpërua dhe u shkatërrua pa u qëlluar një plumb i vetëm”, tha ajo.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se disa trupa të vendosura pranë kufirit me Ukrainën po kthehen në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha: “Njësitë e rajoneve jugore dhe perëndimore që kanë përfunduar misionet e tyre kanë nisur të transportohen në garnizonet e tyre sot. Njësi të tjera të veçanta do të marshojnë në këmbë, si pjesë e karvanit ushtarak. Disa operacione stërvitore ushtarake janë kryer sipas planit, ndërsa operacione të tjera do të vijojnë”.
Forcat e Armatosura ruse po vijojnë stërvitje të mëdha ushtarake në disa zona. Në rrjetet sociale u transmetuan një ditë më parë pamje të tankeve ruse vetëm 15 minuta larg kufirit me Ukrainën. Sa për stërvitjen e përbashkët mes trupave ruse dhe atyre bjelloruse, Moska thotë se do të përfundojë më 20 shkurt.
Këtë të martë kancelari gjerman Olaf Scholz shkon në Moskë, vizitë që është cilësuar si përpjekje për të bindur presidentin Putin të qëndrojë larg aksioneve ushtarake.
Një ditë më parë Scholz ishte në Kiev ku shprehu solidaritet me Ukrainën.
“Ne jemi përgatitur të kemi një dialog serioz me Moskën për të gjitha çështjet e sigurisë. NATO dhe SHBA i bënë disa propozime Rusisë që ne i mbështesim. Presim reagim nga Rusia”, u shpreh kancelari Scholz.
Rusia zhvendosi rreth 100 mijë trupa bashkë me tanke dhe raketa pranë kufirit me Ukrainën gjatë muajve të fundit, duke shtuar shqetësimet se mund të pushtonte fqinjin e vet, një akuzë me të cilën Moska është përballur vazhdimisht.