Bota NATO ka dyshime për tërheqjen e trupave ruse. Ukraina beson se një...

NATO ka dyshime për tërheqjen e trupave ruse. Ukraina beson se një pushtim rus është shmangur për momentin

Pavarësisht se Rusia ka tërhequr një pjese të trupave nga kufiri me Ukrainën, një pjesë e mirë e tyre do të mbeten atje të paktën deri në 20 shkurt. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov tha se stërvitja e forcave të ushtrisë ruse me ato bjelloruse do të  vijojnë deri në këtë datë, edhe pse disa regjimente kanë përfunduar sipas tij stërvitjen dhe tashmë janë duke u larguar nga kufiri ukrainas.

Pas veprimit të Moskës, ka reaguar Jens Stoltenberg, sipas BBC, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili tha përpara gazetarëve në Bruksel, se tërheqja e një pjesë të trupave ruse nuk tregon shenja të de-përshkallëzimit të situatës deri më tani.

Por sipas tij, sinjalet nga Moska për rritjen e përpjekjeve diplomatike tregojnë se ka shpresë për optimizëm.

“Dita e dështimit të propagandës së luftës perëndimore”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova shkroi në rrjetin social Telegram: “15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita e dështimit të propagandës së luftës perëndimore”. Sipas saj, Perëndimi u turpërua.

Ndërkohë, në Detin e Zi, më shumë se 30 luftanije ruse të kategorive të ndryshme zhvilluan një manovër të re me përdorimin e artilerisë. Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë stërvitjes së Flotës së Detit të Zi, është shkrehur zjarr i rëndë i artilerisë për të praktikuar shkatërrimin e një nëndetëseje armike. Gjithashtu në Bjellorusi, u përdor zjarr i rëndë i artilerisë gjatë stërvitjeve të planifikuara deri në 20 shkurt.

Ukraina beson se një pushtim rus është shmangur për momentin. “Ne ia dolëm mbanë, së bashku me aleatët tanë, të parandalonim Rusinë nga përshkallëzimi i mëtejshëm”, tha ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba. “Ne jemi tashmë në mes të shkurtit dhe ju mund të shihni se diplomacia vazhdon të funksionojë.”