Gjermania është kthyer në protagoniste të tratativave për të evituar luftën. Pasi takoi dje presidentin ukrainas Volodimir Zelenskij, sot kancelari gjerman takoi Vladimir Putin në Moskë.
“Rusia nuk do luftë”
Rusia nuk do luftë. Kështu tha presidenti rus, Vladimir Putin, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Moskë. Shefi i Kremlinit u shpreh se Moska ka parashtruar propozime për procesin e negociatave, por se nuk ka pasur reagim konstruktiv nga NATO.
“Nuk do ta pranojmë kurrë zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë tanë”, tha Putin, duke shtuar se aleanca e ka për detyrë të mos e fuqizojë sigurinë në kurriz të vendeve të tjera. Megjithatë, ai deklaroi se përgjigjet e NATO-s dhe SHBA-së lidhur me kërkesat e Rusisë për sigurinë, përmbajnë elemente mbi të cilat Moska është e gatshme të punojë.
Pavarësisht deklaratave për paqe, Putin akuzoi Ukrainën se ka kryer gjenocid në zonat që mbahen në kontroll nga rebelët e mbështetur nga Moska, në Donbas. “Në këndvështrimin tonë, ajo që po ndodh në Donbas është gjenocid”, tha Putin në konferencë për mediat.
Putin tha se është i përgatitur të diskutojë me perëndimin, lidhur me çështje të sigurisë europiane dhe raketave.
Scholz: Parandalimi i luftës është detyra jonë e mallkuar
Sakaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se siguria në Europë, nuk mund të ndërtohet kundër Rusisë, por në bashkëpunim me Rusinë.
Scholz, ngriti shqetësimin se një krizë e madhe po kërcënon Europën, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidentin rus, Vladimir Putin. Scholz tha se të dy udhëheqësit, diskutuan në mënyrë të kuptueshme mbi mbledhjen e trupave ruse në kufirin me Ukrainën.
“Nuk mund ta theksoj më shumë, se sa të shqetësuar jemi”, tha Scholz. “Është urgjente që të kemi çtensionim në mënyrë që të mos zhvillojmë luftë në Europë. Opsionet diplomatike janë në tavolinë. Nuk do të thosha se gjithçka është e kotë. Është detyra jonë e mallkuar ta parandalojmë luftën në Europë”.
“Për ne gjermanët, por gjithashtu për të gjithë europianët, është e rëndësishme që siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet në dëm të Rusisë, por vetëm me Rusinë”, shtoi kancelari. “Besoj se jemi në një situatë ku duhet të përdorim të gjitha mundësitë për të pasur një zgjidhje paqësore. Ajo që është e rëndësishme për mua, është fakti që bisedimet të vijojnë në një grup trepalësh, pra në Minsk”.