Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Edi Rama, ndër të tjera u pyet edhe për aferën e inceneratorëve.
Kryeministri u pyet nëse është i shqetësuar në qoftë se në këtë aferë do të dalin edhe ministra apo ish-ministra të përfshirë. Megjithatë, ai theksoi se nuk është aspak i shqetësuar pasi përgjegjësia është individuale.
“Ky është një proces i kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit dhe të mjedisit. Ne jemi në kushtet shumë komode kur prokuroria po heton. Këtu nuk shoh asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën. Unë mbetem i mendimit se janë vepra të dobishme në funksion të vendit. Shkeljet do t’i verifikojë prokuroria.
Nuk jam i shqetësuar nëse dalin ministra apo ish-ministra sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Kur unë e kam thënë se reforma në drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë as të majtë dhe as të djathtë. Përgjegjësia është individuale. Nëse ka njerëz që e kanë ngjyer gishtin në një proces për t’i shërbyer vendit, ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar, pasi e kanë bërë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe jo për xhepat e vet”, tha Rama.