Ndonëse nuk e mohoi praninë e korrupsionit në vendin tonë, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar të suksesshëm luftën kundër këtij fenomeni.
Për “Zërin e Amerikës”, kreu i qeverisë i ka cilësuar raportet që evidentojnë se Shqipëria nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën ndaj korrupsionit, “si llafe të dala nga moda”.
“Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, e pavënshme në pikëpyetje por lufta ndaj korrupsionit e ka takuar atë në mënyrën e duhur duke marrë përsipër transformimin e sistemit të shërbimeve. Po të bëjmë një krahasim me disa vite më parë as nuk ka të krahasuar. Lufta ndaj korrupsionit është krijim sistemesh që garantojnë të gjitha proceset e zbatimit të vendimmarrjes në kohën e duhur por kjo kërkon kohën e vet…Unë kam mësuar me eksperiencën të mos i marrë të mirëqenë këto indekse. Korrupsioni është një sfidë sepse nuk kemi një shtet modern e të mirëorganizuar. Boll shikojmë me raportin Doing Bussines që u pezullua edhe nga Banka Botërore. Nuk dua të vë asnjë hije dyshimi, por nuk i marr si të mirëqena këto raporte. I referohemi fakteve konkrete dhe jo llafeve te metodologjive të dala nga moda.”