Së shpejti, punonjësit në Belgjikë do të kenë mundësinë të zgjedhin të punojnë për katër ditë në javë, si rrjedhojë e një serie reformash në tregun e punës që u shpallën të martën.
Paketa e reformës që është rënë dakord në qeverinë e koalicionit shumëpartiak të këtij vendi do t’u japë gjithashtu punonjësve të drejtën të fikin pajisjet e punës dhe të injorojnë mesazhet në lidhje me punën pas orarit zyrtar, pa pasur frikë nga pasojat që mund të vijnë nga shefat e tyre.
“Kemi përjetuar dy vite të vështira. Me këtë marrëveshje, po japim një sinjal për një ekonomi më inovative, më të qëndrueshme dhe më dixhitale. Qëllimi është që të jemi në gjendje t’i bëjmë më të fortë njerëzit dhe bizneset,” tha kryeministri belg, Alexander de Croo, në një konferencë për shtyp ku po shpallej paketa e reformës.
Punonjësit e ekonomisë “gig” (me kohë të pjesshme ose punë fleksibël) do të marrin gjithashtu mbrojtje më të mëdha ligjore sipas këtyre rregullave të reja, ndërsa punonjësit me kohë të plotë do të kenë mundësinë të punojnë me orare fleksibël, sipas nevojave.
Megjithatë, kthimi i këtyre reformave në ligj është një proces që mund të zgjasë me muaj, pasi projektligji duhet të kalojë konsultime të shumta me ligjvënësit federalë përpara se të miratohet.
Ekuilibri punë-jetë
Një pjesë e konsiderueshme e reformave të reja të punës në Belgjikë ndikojnë në ekuilibrin punë-jetë të punonjësve, si të atyre që janë në sektorin publik, ashtu edhe të atyre në sektorin privat.
Projekt-paketa e reformës së rënë dakord në qeverinë federale të vendit do t’u japë punonjësve mundësinë për të kërkuar një javë me katër ditë pune.
“Kjo duhet të bëhet me kërkesë të punonjësit, ndërsa punëdhënësi duhet të japë arsye shumë të argumentuara për çdo refuzim të këtyre kërkesave,” tha në konferencën për shtyp Ministri belg i Punës, Pierre-Yves Dermagne.
Një zëdhënës i qeverisë konfirmoi për Euronews Next se punonjësit do të kenë mundësinë të kërkojnë të punojnë katër ditë në javë për një periudhë gjashtëmujore. Pas kësaj periudhe, ata mund të zgjedhin të vazhdojnë me këtë marrëveshje ose të kthehen përsëri te java me pesë ditë punë, pa pasur asnjë pasojë negative.
“Periudha gjashtëmujore u mendua në mënyrë që një punonjës të mos mbetet peng i një zgjedhjeje të gabuar për një kohë të gjatë”.
Sipas sistemit belg, punonjësit do të jenë në gjendje të shkurtojnë javën aktuale pesëditore në katër ditë pune. Në praktikë, kjo nënkupton se orari javor i punës do të vazhdojë të jetë 38 orë, me një ditë pushimi shtesë që kompenson katër ditët e punës me orar më të zgjatur.
Punonjësit do të kenë mundësinë të kërkojnë gjithashtu orare fleksibël pune. Periudha minimale e njoftimit për turnet e punës është gjithashtu duke ndryshuar, pasi kompanitë tani duhet të njoftojnë oraret e turneve të punonjësve të paktën shtatë ditë përpara.
“Kjo do t’u jepte mundësinë njerëzve që të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre,” tha Dermagne në një deklaratë, duke shtuar se propozimet do të ishin veçanërisht të dobishme për prindërit e divorcuar që ndajnë sëbashku kujdestarinë e fëmijëve të tyre.
Fikni telefonat
Në janar, nëpunësve civilë që punojnë për qeverinë federale të Belgjikës iu dha e drejta të shkëputeshin totalisht nga puna pas orarit zyrtar, duke i lejuar ata të fiknin pajisjet e punës dhe të injoronin mesazhet nga shefat e tyre, pa pasur frikë për pasojat që mund të sillte kjo sjellje.
Tani, të gjithë punonjësit në Belgjikë, duke përfshirë edhe ata në sektorin privat, do ta kenë këtë të drejtë, tha Dermagne të martën.
“Kufiri midis punës dhe jetës private po bëhet gjithnjë e më poroz. Këto kërkesa pa ndërprerje nga shefat mund të dëmtojnë shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve,” tha ai.
Në praktikë, ligji i ri do të zbatohet për të gjithë punëdhënësit me më shumë se 20 punonjës. Nga punëdhënësit pritet që ta negociojnë me sindikatat përfshirjen e kësaj të drejte në marrëveshjet kolektive të punës.