Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se socialistt nuk do të komentojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk shkarkoi Presidentin Ilir Meta, por theksoi se procedurat e ndjekura nga Kuvendi kanë qenë sipas Kushtetutës.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla u shpreh Presidentit Ilir Meta i kanë mbetur edhe 150 ditë në krye të Presidencës.
“Të thuash që kjo parti kontrollon drejtësinë është sot më e gënjeshtër se kurrë kur të paktën bie dakord që dje ka patur një vendim nga Gjykata Kushtetuese e cila ka rrëzuar sipas tyre një vendim të Kuvendit të iniciuar nga kjo mazhorancë dhe të thuash që ne kontrollojmë reformën në drejtësi?
Gjykata Kushtetuese ka pranuar procedurat e ndjekur nga Kuvendi, ka qenë e gjitha e ndjekur sipas Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese ka thënë që Presidenti e ka shkelur Kushtetutën por nuk e ka shkelur fort, e ka shkelur butë. Në mendimin tonë Presidenti i Republikës e ka shkelur Kushtetutën. Ilir Meta do të ikë pas 150 ditësh dhe mirë do kishte qenë të ikte që sot. Më vjen dhe mirë që opozita qenka bashkuar”, deklaroi Taulant Balla.