Taulant Balla kërkoi përgjigje nga SPAK për kallëzimin që është bërë nga Kuvendi i Shqipërisë kundër Sali Berishës, për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm.
Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar socialist, replikoi me Sali Berishën, i cili akuzoi SPAK se nuk po vepron për atë që opozita e quan afera e inceneratorëve.
“Ke të drejtë Sali që e quan “skrap” dhe jo SPAK, sepse nuk po merret me ty. Kuvendi, me firmën edhe të Ilir Metës kur ishte kryetar, ka bërë kallëzim për ty, për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm. Gjithashtu SPAK ka deklaruar se një prokurore ka marrë në shqyrtim çështjen e akuzave për vjedhjen e mjediseve të klubit sportiv Partizani. SPAK duhet të na thotë ku është me hetimet”, tha Balla.
Në fjalën e tij në Kuvend, ish-kryeministri akuzoi SPAK, por edhe Lulzim Bashën, duke thënë se nuk e mbrojti për asnjë orë të vetme interesin e qytetarëve.
“Është tragjike që në Parlament po përdoret në mënyrën më të papranueshme korrupsioni si mburojë. Ky Parlament po degradon çdo ditë e më shumë. Afera e inceneratorëve është më klasikja e një vjedhjeje, e cila ka një zinxhir hajnash, por kryehajn është Rama”, tha Berisha.
“Dhe kjo jo se unë e konsideroj atë njeriun më të rrezikshëm për vendin, por sepse ai është arkitekt i kësaj afere, ndër më të turpshmet dhe kriminalet në historinë e këtij vendi”, shtoi ish-kryeministri.
Sipas Berishës, hetimi parlamentar dhe ai i SPAK-ut po “përpiqen që të varrosin çështjen”.
“Ju sjellin para syve Gugalle e Zoto, për të mbuluar hajdutët e vërtetë. Asnjë qindarkë nuk lëviste dot pa miratimin e Edi Ramës. Kjo është aferë monstruoze, që do të zgjidhet vetëm nga qytetarët. Ndaj, u bëj thirrje atyre që të përgatitemi për protestat më të fuqishme, për të shpartalluar këtë përpjekje djallëzore për të mbuluar aferën më të madhe të zbuluar deri tani”, u shpreh Berisha.