Nga Mero Baze
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rishkruar dhe rindërtuar figurën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke e portretizuar atë si një kriminel potencial, të cilin e instrukton se si duhet të mbrohet nga ligji.
Me këtë vendim, presidenti i Republikës së Shqipërisë, ka fituar të drejtën të shkelë Kushtetutën në një shkallë të mjaftueshme, aq sa të mos konsiderohet e rëndë. Gjykata ka vlerësuar se presidenti e ka shkelur Kushtetutën, por jo në atë shkallë sa ta shkarkojmë. Po ashtu, ka vlerësuar se Kuvendi ka konstatuar me të drejtë shkeljet e Kushtetutës, por e ka tepruar kur ka kërkuar që për ato të shkarkohet.
Nuk po i hyj arsyeve që kanë çuar anëtarët jo magjistratë të Gjykatës Kushtetuese në këtë përfundim. I vetmi magjistrat në atë trupë, Altin Binaj, ka votuar të shkarkohet. Pjesa tjetër e gjykatës aktuale, është e mbushur me qoka politike.
Institucioni i presidentit të Republikës është institucioni më i lartë solemn i vendit dhe që e ka për detyrë të jetë simbol i integritetit moral dhe figurës përbashkuese në vend.
Si i tillë, ai është i prekshëm dhe i ndjeshëm dhe ndaj vetëpërbaltjes morale, e jo më ligjore, të figurës së presidentit.
Gjykata jonë kushtetuese ja ka hequr këtë solemnitet. Gjykata e quan normale, që presidenti të sillet si alabak rrugëve, të dalë në fushatë elektorale, të kërcënojë për dhunë, të pijë kafe me kapuç me persona në kërkim në shtëpi të miqve të tij, të shkojë nëpër selira partish e të zihet me rojet, pastaj të postojë foto me qen e mace në Instagram, me shpresë se po jep mesazhe politike.
Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit, vetëm se Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi mospërputhjen e mandatit të presidentit me atë të kryetarit të LDK, në momentin që ai u zgjodh president. Pra kishte nënvleftësuar të jepte dorëheqje në kohë, nga kryetar i LDK. Dhe iku, për të respektuar solemnitetin e postit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk tha as që ishte shkelje e rëndë e Kushtetutës, as shkelje e lehtë, ashtu siç nuk mund të thuhet për një grua, që është pak shtatzënë, jo aq shumë sa duket. Ose është shtatzënë, ose nuk është.
Por ajo që është më e rënda, është se Gjykata jonë Kushtetuese, është sjellë si Gjykatë Penale ndaj Ilir Metës. Ajo e ka trajtuar atë si kriminel të përfshirë në një krim dhe është marrë me lehtësimin e masës së dënimit. Pak a shumë ajo ka bërë interpretime penale, duke vlerësuar se sa të rënda janë krimet e presidentit.
Ajo i ka dhënë të drejtë vetes, të cilësojë një shkelje kushtetuese të zakonshme nga një shkelje kushtetuese të rëndë.
Fjala vjen, fakti që Ilir Meta anuloi zgjedhjet dhe futi Shqipërinë në spiralen e një lufte civile, e quan shkelje jo aq të rëndë, meqë lufta nuk ndodhi. Dhe për këtë nuk gjen lidhje shkak- pasojë, ndaj e quan shkelje jo dhe aq të rëndë.
Është njësoj si një kriminel që e ka shkrepur armën kundër dikujt, por atë e ka mbrojtur dikush tjetër dhe nuk ka vdekur. Dhe gjykata i ul dënimin.
Kështu e trajton Gjykata jonë Kushtetuese përgjegjësinë e presidentit të Republikës, në përpjekjen e tij për destabilizimin e vendit. Ka marrë atributet e një gjykate penale ndaj një personi të kapur në krim dhe i ka zbutur dënimin.
Tani e tutje ne do kemi Ilir Metën e padënuar, por presidentin e Republikës potencialisht një kriminel të mbrojtur me ligj. Falë Gjykatës Kushtetuese.
Së fundmi, nga pikëpamja etike, Gjykata ka shkruar një vendim me nervozizëm dhe agresivitet, sikur ta ketë shkruar Ilir Meta. Nëse shikon fjalitë e shkruara nga Gjykata, ka fjali të përsëritura me nervozizëm, të tipit “nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Është fjali tipike e përsëritur, si ato tiket nervore të Ilir Metës kur i ikën truri, siç u bërtiste rojeve tek godina e FRD, “përjashta ë.., përjashta ë.., përjashtë ë…”.
Kjo fjali është përsëritur shtatë herë me nervozizëm, çka tregon mungesën e qetësisë dhe presionin nën të cilën Gjykata ka shpallur vendimin në mesnatë, kur mendonin se Shqipëria po flinte.
Të gjithë e njohim historinë e presioneve të Ilir Metës mbi drejtësinë. Të gjithë e dimë historinë e kasetës së tij që u shpall “se nuk ekziston”, nga një gjykatë me pesë anëtarë. Të gjithë e dimë çfarë kanë hequr anëtarët e kësaj gjykate, duke ju trokitur në derë çdo ditë, përfshi dhe akuzat publike të Ilir Metës. Të gjithë e kuptojmë tani këtë produkt të tyre, si një mungesë e personalitetit të tyre.
Dhe nuk kanë shumë faj. Janë njerëz të rëndomtë, të marrë nga jashtë sistemit me qoka politike dhe janë çuar në institucionin më të lartë të drejtësisë në vend, në atë institucion ku bota çon juristë 80- vjeçarë, nga ata që përtojnë të ngrenë dhe vetullat të të shikojnë kush je, e jo më të dëgjojnë kërcënimet e tua.
Tani pasi e kemi bërë vetë këtë Gjykatë kështu, nuk është e ndershme t’u kërkojmë të jenë dhe gjykatës të Kushtetutës, disa njerëz që në këtë qytet askush prej nesh s’do ti merrte as për avokatë. Përveç Ilir Metës, që paguan çdo gjë kur është në hall.