Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë në prag të pushtimit të Ukrainës mes një dështimi të dukshëm për të tërhequr trupat nga ana e kufirit të saj dhe akuzave për një operacion të mundshëm të qëllimshëm në lindjen e diskutueshme të Ukrainës.
Ndërkohë, SHBA vijon t’i qëndrojë idesë se Rusia është duke fabrikuar një pretekst për të sulmuar Ukrainën, mbase dhe ditët e ardhshme.
Deklarata më e fundit për këtë qëndrim vjen nga sekretari i Shtetit, Blinken, i cili “paralajmëroi” se Rusia mund të shkaktojë dhe një sulm brenda territorit të saj me shumë viktima për t’i hedhur fajin më pas për këtë gjë Ukrainës.
“Mund të jetë fabrikimi i një sulmi terrorist brenda Rusisë. Zbulimi i një varri masiv të sajuar. Një sulm ajror fals ndaj civilëve, apo një sulm fals ose real me armë kimike”, u shpreh Blinken.
Në të njëjtën linjë është edhe NATO që gjithashtu nuk i beson tërheqjes së Rusisë.
“Ne i kemi parë përpjekjet për të sajuar një pretekst, me operacione false për nxjerrë një justifikim për pushtimin e Ukrainës. Ata kanë trupa mjaftueshëm dhe aftësi për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në shumë pak kohë dhe pa paralajmërim”, tha sekretari Stoltenberg.
Si për të konfirmuar paralajmërimet e tyre, në lindje të Ukrainës u raportuan raste të shkeljes së armëpushimit. Kievi akuzoi separatistët pro rusë për bombardimin e një çerdheje dhe për përdorimin e tankeve, ndërsa rebelët thanë se janë qëlluar disa herë nga ushtria ukrainase.
Ushtarët amerikanë mbërrijnë në Sllovaki
Ushtarët e parë amerikanë kanë mbërritur në Sllovaki për manovrat ushtarake të planifikuara të NATO-s mes tensioneve Rusi-Ukrainë, konfirmoi një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovakisë.
Një autokolonë prej rreth 200 ushtarësh udhëtoi nga Gjermania dhe kaloi kufirin çek në Sllovaki gjatë natës, tha zëdhënësi i ministrisë Stefan Zemanoviç.
Mbrojtja sllovake tha se ardhja e ushtarëve amerikanë nuk kishte lidhje me krizën në Ukrainë.
Ushtarët do të marrin pjesë në një manovër ushtarake në shkallë të gjerë të quajtur “Saber Strike 2022”, e cila tashmë ka gati dy vjet që zhvillohet.
Manovrat, që përfshijnë rreth 3 000 ushtarë dhe 1 000 pajisje të tilla si lloje të ndryshme automjetesh ushtarake do të zhvillohen nga 1 deri më 14 mars në Sllovaki, e cila ndan një kufi me Ukrainën.
Sondazhet e opinionit kanë treguar se publiku sllovak në përgjithësi nuk e mirëpret praninë e trupave amerikane në vendin e Evropës Lindore.