Aktori i njohur shqiptar, Florjan Binaj, ka treguar së fundmi shumë gjëra rreth shtatzënisë së gruas së tij dhe pse vendosën që vajza të merrte emrin Vjosa, ashtu si emri i lumit që është edhe një nga lumenjtë e fundit “të egër” të Europës.
Ai ka treguar se shtatzëninë e bashkëshortes e morën vesh kur po lundronin së bashku pikërisht në këtë lum.
Gjithashtu, aktori u shpreh se nuk kishin si t’i vendosnin emër tjetër vajzës, ndërsa shtoi se është i pakënaqur me shpalljen e lumit Vjosa si Park Natyror.
“Vjosa është mirë. Jam shumë i lumtur si baba i tre fëmijëve. Emri i Vjosës erdhi shumë natyrshëm, jo vetëm për mbrojtjen që i kemi bërë Vjosës, por edhe për faktin që kur morëm vesh që nusja ishte shtatzënë po lundronim në Vjosë. Nuk mund ta kishte ndryshe emrin. Vjosa u shpall “Park Natyror” dhe jam i pakënaqur sepse nuk e meriton këtë status, lë vend për të ndërtuar hotele, nuk e mbron. S’do reshtim luftën për ta shpallur park kombëtar”, tha aktori.
Florjan Binaj u bë baba për herë të tretë më datë 20 janar. Lajmi i surprizoi të gjithë pasi ata e kishin mbajtur të fshehtë këtë lajm. Çifti ndërkohë kanë bashkë edhe dy fëmijë të tjerë: vajzën, Krena dhe djalin Glauk.