Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Krekëz të Njësisë Administrative Lunas në qytetin e Kuçovës.
Pas një grindjeje familjare, arsyet e të cilës nuk dihen ende, 55-vjeçari Idajet Veizllari ka rrahur bashkëshorten e tij, duke e lënë pa ndjenja në tokë.
Ulërimat e gruas kanë tmerruar familjarët e komshinjtë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe spitalin, por në kushte të rënda tronditjeje, 55-vjeçari Idejat Veizllari ka pirë një kokërr “fostoksinë”, duke tentuar vetëhelmimin.
Të dy bashkëshortët janë transportuar në gjendje të rëndë drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gruaja është e shtruar dhe me plagë të shumta për shkak të goditjeve të marra, ndërkohë që 55-vjeçari është nisur në gjendje kritike për jetën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mjekët e Spitalit të Beratit kanë deklaruar se sasia e helmit që kishte marrë Veizllari kishte depërtuar në gjak dhesi pasojë kjo e çoi pacientin në gjendje kritike për jetën.
Në Spitalin e Beratit, por edhe në banesën e çiftit Veizllari kanë shkuar forca të shumta policie, që po pyesin edhe të afërm e familjarë në lidhje me ngjarjen e rëndë, shkaqet e të cilës nuk dihen ende.