Sport Gjimshiti epik, përmbys i vetëm Olympiacosin në tre minuta dhe Atalanta feston

Gjimshiti epik, përmbys i vetëm Olympiacosin në tre minuta dhe Atalanta feston

Atalanta triumfoi sonte 2-1 përballë Olympiacos, duke hedhur një hap drejt kalimit në raundin e 1/8-ve.

Heroi ishte Berat Gjimshiti që zhvilloi një ndeshje të madhe, realizoi dy gola brenda tre minutave – golat e parë sezonalë me ekipin bergamask – dhe i dhuroi fitoren ekipit të tij.

Skuadra greke kaloi në avantazh pas çerek ore lojë falë golit të brazilianit Tiquinho Soares, por 28-vjeçari i kombëtares kuqezi e përmbysi i vetëm këtë ndeshje. Gjimshiti kërceu bukur me kokë në minutën e 61-të. Topi në rrjetë dhe lojtari shqiptar në festë. Më e bukura nuk kishte ardhur ende. Mbrojtësi nga Lugina tundi përsëri rrjetën greke me një diagonale potente, duke dërguar në ekstazë tifozët e pranishëm “Gewiss Stadium”.

Me përmbysje dhe me të njëjtin rezultat fitoi edhe Porto përballë Lazios. Thomas Strakosha luajti si titullar për miqtë, ndërsa Elseid Hysaj u fut në fushë në minutën e 72-të. Mattia Zaccagni kaloi bardhekaltrit e Sarrit në avantazh (23’), por “Dragonjtë e Oportos” ia dolën të triumfonin falë dygolëshit të spanjollit Toni Martinez.

Barazim spektakolar u regjistrua në Leipzig-Sociedad. Përballja e luajtur në Gjermani u mbyll me rezultatin 2-2, me dy nga golat që e realizuan nga pika e bardhë.

Sevilla është ekipi ekspert në këtë kompeticion. Rekordmenët e Europa League mposhtën 3-1 danezët e Randers në takimin e luajtur në Andaluzi, aty ku fitorja u vulos në pjesën e parë.

Barcelona nuk ia doli të fitojë në “Camp Nou” përballë Napolit, sfidë që përfundoi në barazim 1-1. Piotr Zielinski kaloi ekipin e Spallettit në avantazh në minutën e 29-të, ndërkohë që Ferran Torres humbi një mundësi shumë të mirë në aksionin paraardhës. Ekipi katalanas reagoi dhe fitoi një penallti të minutën e 59-të. Ferran Torres nuk gaboi më, gjeti golin e parë personal në Europa League me Barcelonën dhe evitoi humbjen e skuadrës së tij.

Dortmund dështoi në “Signal Iduna Park” përballë Rangers. Kampionët e Skocisë fituan 2-4 falë golave të Tavernier, Morelos, Lundstram dhe autogolit të Zagadou. Goli i talentit Bellingham dhe eurogoli i portugezit Guerreiro mbajnë gjallë shpresat e verdhezinjve, por përmbysja në ndeshjen e kthimit nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

Real Betis vijoi formën e mirë që po kalon në kampionatin spanjoll edhe në Europa League. Skuadra andaluziane triumfoi 2-3 në Rusi përballë Zenitit, takim ku të pestë golat e ndeshjes u realizuan në pjesën e parë.