Bëhen publike disa prej aktiviteteve që do të mbahen në Tiranë me rastrin e festave të 28-29 Nëntorit. Kështu axhenda e aktiviteteve është bërë publike nga kryebashkiaku Veliaj në një takim me rastin e 105 vjetorit të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë së Tiranës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kryeqyteti ka rezervuar për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe për të gjithë ata që festat e nëntorit do t’i kalojnë në Tiranë, një sërë aktivitetesh historike dhe festive dhe që do të kulmojnë me Natën e Bardhë. “Do të vijomë me festimet në 28 nëntor, me ngritjen e Flamurit, në orën 10.00 paradite, ku ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë. Për herë të parë ngremë flamurin në sheshin e ri “Skënderbej”, pastaj gjatë gjithë ditës, do të kemi një sërë aktivitetesh. Nata e Bardhë do të rikthehet fuqishëm në Tiranë. Kemi koncerte, aktivitete të ndryshme, ndaj ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj energjie të Tiranës, për të kujtuar të parët tanë dhe për të kujtuar premtimin që i kemi bërë kësaj toke, që sa të kemi mundësi, pavarësisht pozicionit, secili të bëjë të pamundurën për t’i shërbyer vendit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë që më 29 Nëntor, në Natën e Bardhë, në Sheshin “Skënderbej” do të performojë këngëtarja britanike Emeli Sande. Në një njoftim të bashkisë për këtë aktivitet thuhet:
“A jeni gati për “Natën e Bardhë”? Për një nga ato netët elektrizuese, që zgjasin deri në orët e para të mëngjesit në shoqërinë e muzikës më të mirë në treg? Nëse përgjigja është po, atëherë bëhuni gati për surprizën e radhës. Sepse pas Jessie J, Giusy Ferrerit, Bebe Rexhës dhe Dua Lipës, një tjetër emër i njohur i muzikës botërore do të ndezë Tiranën e 29 Nëntorit.
Kësaj here në skenë do të ngjitet e mrekullueshmja Emeli Sande, të cilën Bashkia e Tiranës e ka ftuar të jetë pjesë e festës që do të kulmojë pikërisht me një koncert madhështor për të gjithë të pagjumët e kryeqytetit.
Tradita vijon, Tirana do të jetë më e ndriçuar se kurrë në 29 Nëntor, kur dyert e artit dhe kulturës do të hapen për të gjithë qytetarët dhe kryeqyteti do t’i jepet festës deri në agim”.
Emeli Sande është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore. Artistja skoceze spikati me këngën “Diamond Rings” e reperit Chipmunk në vitin 2009, e cila u bë pjesë e top 10-shes më të mirë në UK Singles Chart.
Por edhe kryeministri Rama pak ditë më parë ka publikuar në profilin e tij në Facebook, një tjetër aktivitet që do të nisë më 29 Nëntor për t’u përmbyllur më 30 dhjetor. Bëhet fjalë për Panairin e Agrobiznesit.
“29-30 nëntor në Sheshin Nënë Tereza dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit një spektakël i prodhimit e ushqimit nga toka shqiptare; një ekspozitë unikale e Shqipërisë. Nata e Bardhë e Tiranës me një risi për t’u shijuar nga të gjitha moshat”, shkruan Rama.