Të dhënat sugjerojnë se Rusia po planifikon “luftën më të madhe në Europë që prej 1945-s”, tha këtë të shtunë Kryeministri britanik Boris Johnson. Në një intervistë për BBC ai u shpreh: “Të gjithë shenjat janë se plani në njëfarë mënyrë ka nisur.
Johnson tha se burime të inteligjencën sugjerojnë se Rusia ka si qëllim të verë në zbatim planin e pushtimit që do të rrethojë kryeqytetin ukrainas, Kievin.
“Njerëzit duhet të kuptojnë koston e madhe në jetët njerëzore që kjo mund të sjellë”, shtoi ai.
Kryeministri britanik i bëri deklaratat nga Mynihu, aty ku liderët botërorë po zhvillojnë takimin vjetor të konferencës së sigurisë.
Përllogaritjet e fundit të qeverisë amerikane sugjerojnë se numri i trupave ruse të vendosura tashmë në kufijtë e Ukrainës, si në Rusi ashtu dhe në Bjellorusi është mes 169,000 dhe 190,000.
Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar përgjatë javëve të fundit se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për të pushtuar nga momenti në moment, por vetë Rusia e ka mohuar këtë, duke thënë se po bën stërvitje ushtarake në rajon.
I pyetur nëse pushtimi rus është diçka e pashmangshme, Johnson tha: “Kam frikë se të dhënat këtë tregojnë. Fakti është se të gjitha shenjat tregojnë se plani në një sens ka nisur”.