Një 34-vjeçar nga Tropoja ka rënë në prangat e Policisë pasi u kap duke transportuar armë zjarri me qëllim trafikimi drejt Kosovës. Policia njofton se 34-vjeçari me iniciale S. D., nga Shoshani i Tropojës, u kap gjatë kohës që po transportonte dy armë zjarri automatikë, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock” dhe sasi municioni luftarak, me automjetin e tij “Volkswagen”, në aksin rrugor Shoshan-Bajram Curri, në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtit”.
Armët e sekuestruara do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme, nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Operacioni Shoshan u krye nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për këtë shtetas, që tentonte të trafikonte armë zjarri drejt Kosovës.