Bota Përpjekja e fundit për të shmangur konfliktin në Ukrainë: Macron telefonon Putin

Përpjekja e fundit për të shmangur konfliktin në Ukrainë: Macron telefonon Putin

Zelensky, Macron dhe Putin

Presidenti francez Emmanuel Macron do të flasë me homologun e tij rus Vladimir Putin të dielën në mëngjes, në atë që shihet si një përpjekje diplomatike e minutës së fundit për të shmangur një pushtim rus të Ukrainës.

Ajo vjen pasi tensionet kanë arritur pikën e tyre më të lartë në disa vite në Ukrainën lindore, mes një vale dhune gjatë fundjavës që ka përforcuar frikën në Perëndim se Rusia mund të kërkojë një pretekst për të pushtuar fqinjin e saj.

Ushtritë ruse dhe bjelloruse do të përfundojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake të dielën. Stërvitjet në Bjellorusi, fqinji i Ukrainës, filluan më 10 shkurt, duke shtuar frikën perëndimore mbi synimet e Moskës.

Telefonata e Macron me Putinin, që do të bëhet në orën 11.00, përshkruhet nga Elysee si ndër “përpjekjet e fundit të mundshme dhe të nevojshme për të shmangur një konflikt të madh në Ukrainë”. Ai pason një takim mes dy liderëve në Moskë më 7 shkurt.

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë një takim të rrallë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare sot (të dielën) për krizën në Ukrainë, disa ditë përpara se Sekretari i Shtetit Antony Blinken të takohet me homologun e tij rus Sergei Lavrov.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson deklaroi të shtunën se plani i Rusisë kishte filluar  dhe mund të çojë në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

“Të dhënat sugjerojnë se Rusia po planifikon “luftën më të madhe në Europë që prej 1945-s”, tha Boris Johnson. Në një intervistë për BBC ai u shpreh: “Të gjithë shenjat janë se plani në njëfarë mënyrë ka nisur.

Lëvizjet e fundit diplomatike vijnë një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për t’i dhënë fund të gjithë politikës së zbutjes ndaj Rusisë, për të cilën Perëndimi thotë se ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në kufirin e Ukrainës.

Ditët e fundit kanë parë një rritje spektakolare të përleshjeve përgjatë frontit lindor në Ukrainë. Vëzhguesit ndërkombëtarë nga OSBE shënuan më shumë se 1,500 shkelje të armëpushimit vetëm të enjten dhe të premten.