Edhe Shqipëria mund të jetë në shenjestër të një ofensive të gjerë ushtarake të ushtrisë ruse në Europën Lindore. Ministrja e jashtme britanike Liz Truss paralajmëron në një intervistë për të përjavshmen Mail on Sunday, se pas pushtimit të Ukrainës, ka rrezik të lartë që ushtria ruse të përparojë më tej në lindje të kontinentit.
“Ne duhet ta ndalojmë Vladimir Putinin sepse ai nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën. Rrezikohen edhe shtetet Baltike, Ballkani Perëndimor po ashtu”, tha Liz Truss.
Kryediplomatja britanike thotë se Putin kërkon krijimin e Rusisë së Madhe. Sipas saj, shefi i Kremlinit kërkon të marrë nën kontroll hapësira të gjera të Europës Lindore, duke rikhtyer kontrollin e Rusisë në këto vende ashtu si në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik por edhe më herët.
Deklaratat e Ministres së Jashtme Britanike nuk janë aspak të pabaza. Në një dokumentar të televizionit shtetëror rus, të transmetuar Dhjetorin e kaluar, Vladimir Putin u shpreh se me rënien e Bashkimit Sovjetik, Rusia kishte humbur deri 40% të popullsisë së saj.
“Rënia e Bashkimit Sovjetik përfaqësonte shkatërrimin e asaj që konsiderohet si Rusi historike. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjektik, ne kemi humbur 30 – 40% të territorit, e po aq edhe të popullsisë që është përfshirë në vendet e tjera. Kemi humbur pjesën më të madhe të asaj që krijuam në 1 mijë vjet”, pati deklaruar Putin.