Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë disa kritika të ashpra gjatë konferencës së djeshme për sigurinë në Mynih, Gjermani.
Përse duhet të pritet për të reaguar ndaj një krize, në vend që të bëjmë çdo gjë të jetë e mundur për ta parandaluar atë?
Këto kanë qenë tezat kryesore të shtruara nga presidenti ukrainas në drejtim të aleatëve perëndimorë, sipas Forbes.
Gjatë deklaratës së tij, Zelenskyy kritikoi perëndimin për thirrjet e tyre të fundit se Putin do të pushtojë Ukrainën duke mos bërë asgjë për ta parandaluar këtë sulm.
“Për çfarë po prisni? Ne nuk na duhen sanksionet pasi të bombardohemi nga Rusia, pasi të mos kemi më kufij, pasi mos të kemi më ekonomi. Për çfarë do të na duhen sanksionet atëherë?”- u shpreh i shqetësuar presidenti ukrainas.
‘Dikush këtu po gënjen’
Në vazhdim Zelenskyy deklaroi se, “Ukraina po kërkon paqe. Europa po kërkon paqe. Bota thotë se nuk do luftë dhe Rusia po pretendon se nuk do të na pushtojë. Epo, dikush këtu po gënjen.”
Këto deklarata gjatë konferencës së Mynihut u pritën me ovacione, teksa Zelenskyy vazhdoi kritikat e tij edhe për aleatët e NATO-s, duke u shprehur se ata kanë një politikë me dyer të hapura ama në të njëjtën kohë refuzojnë të pranojnë Ukrainën si anëtare.
“Ne kemi nevojë për përgjigje konkrete. Nuk mund të vendosim veten në arkivole e të presim deri sa të vijnë ushtarët rusë,” – u shpreh Zelenskyy.
Muajt e fundit, Rusia ka akumuluar më shumë se 180,000 trupa në kufirin ukrainas, edhe pse Kremlin i ka mohuar vazhdimisht qëllimet për të sulmuar Ukrainën.
Ndërkohë, NATO ka dhënë fjalën se pavarësisht faktit se nuk do të mund të hyjë në Ukrainë në rast konflikti – pasi Ukraina nuk është anëtare e NATO-s – perëndimi ka plan të ndëshkojë Rusinë me sanksione të ashpra të cilat sipas tyre, nuk do të ishin aspak në favor të këtij shteti.