Shërbimet inteligjente të Mbretërisë së Bashkuar, tregojnë se Rusia synon të nisë pushtimin e Ukrainës, tha zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson, të hënën.
“Po shohim elemente të planit rus që kanë nisur të zbatohen”, tha zëdhënësi i Johnson. Javën e kaluar, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se Rusia “ka ruajtur një prani domethënëse ushtarake që mund të nisë pushtimin në çdo moment”. Sipas një harte të publikuar prej saj, tregojnë mënyrën sesi mund të futen trupat ruse në Kiev, nga dy pika prej kufirit bjellorus dhe një pike të tretë në kufirin perëndimor të Rusisë.
Ndërkohë, Vladimir Putin tha se po merr në konsideratë kërkesën nga separatistët prorusë në lindje të Ukrainës që t’i njohë si entitete të pavarura. “Qëllimi i takimit të sotëm ishte që të dëgjonim kolegët dhe të vendosnim hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin në këtë drejtim, përfshi edhe kërkesën e udhëheqësve të Republikës Popullore të Donetskut dhe Luhanskut që kërkojnë njohje të sovranitetit të tyre, çështje për të cilën është miratuar edhe një rezolutë nga Duma”, tha Putin në takimin e Këshillit të Sigurisë.
Në javët dhe ditët e fundit, drejtuesit e këtyre dy krahinave separatiste, të cilat janë në qendër të një konflikti me qeverinë e Kievit prej gati një dekade, kanë ngritur alarmin për sulme të vazhdueshme nga ushtria ukrainase. Ndërsa vetë Putin, ka akuzuar vendin fqinj se po kryen gjenocid në këto territore, akuza të quajtura qesharake nga ana e Perëndimit.