Listat e klientëve të bankave zvicerane janë ndër sekretet më të mëdha në botë, por një skandal i fundit që ka zbuluar të dhënat e mbi 30 mijë klientëve të bankës Credit Suisse hedhur dritë se si njerëzit më të pasur të planetit kanë grumbulluar të ardhurat e tyre.
Ishte një sinjalizues anonim që i dorëzoi gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung të dhëna për më shumë se 18 mijë llogari bankare që mbanin më shumë se 100 miliard dollarë.
Ajo që ra në sy ishte se banka e njohur kishte hapur llogari për krerë shtetesh, zyrtarë të inteligjencës, biznesmenë të dënuar, abuzues të të drejtave të njeriut dhe persona të korruptuar. Në mesin e personave të listuar është Mbreti Abdullah II i Jordanisë me 230 milion franga zvicerane apo dhe Ala Mubarak djali i ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak me 200 milionë franga zvicerane.
Llogari bankare kishin djemtë e një shefi të inteligjencës pakistaneze që kishte nxjerrë miliarda dollarë nga Shtetet e Bashkuara apo dhe zyrtarët venezuelas të dënuar për vjedhjen e kompanive të naftës.
Në listë janë edhe një trafikant qeniesh njerëzore nga Filipinet, një bos i bursës së Hong Kongut i burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës së tij të famshme në Liban, por edhe politikanë të dënuar për korrupsion në Ukrainë.
Vetë banka tha se të dhënat janë publikuar në mënyrë selektive me qëllim keqinformim. Publikuesit e listës thanë se aty ka edhe llogari të ligjshme.
Në listën e klientëve të publikuar nga The Guardian është listuar edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por pa dhënë emra.