Ndërsa e gjithë vëmendja botërore është tek një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia, Presidenti rus Vladimir Putin do të dërgojë një zyrtar të lartë të sigurisë në Ballkan raporton “Associated Press“.
Mediat pro qeveritare në Serbi kanë paralajmëruar vizitën e Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurisë në Kremlin.
Ai pritet të mbërrijë në Beograd në ditët e ardhshme për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Moska ende nuk ka bërë asnjë lajmërim zyrtar mbi vizitën e mundshëm të Patrushev, i cili ka shërbyer si drejtor i inteligjencës ruse (FSB), pasuese e KGB-së sovjetike.
Që prej 2008, Patrushev ka shërbyer si Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, një trupë konsultuese me Presidentin për vendime mbi sigurinë kombëtare.
I lindur në 1951 në Shën Peterburg, Patrushev është djali i një oficeri që ishte pjesë e Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik. Prej 1975 u rekrutua nga KGB.
Vizita e tij pritet të ketë si temë kryesore pretendimet e Rusisë për dërgimin e “mercenarëve” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovinë për të luftuar në Ukrainë kundër rebelëve pro rusë.
Zyrtarë të tre vendeve i kanë mohuar këto pretendime të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Kjo çështje është diskutuar dhe në takimin që Vuçiç ka mbajtur të hënën me zyrtarë të lartë të sigurisë.
Në të kaluarën luftëtarë serbë kanë shkuarën Ukrainë për të luftuar krah rebelëve pro rusë.
Serbia zyrtarisht mban një qëndrim neutral në konfliktin Rusi-Ukrainë, që është një kërcënim për një luftë të madhe në Evropë.
Ndonëse synon anëtarësimin në BE, Serbia ka refuzuar që të njësojë politikën e jashtme me 27 vendet anëtare të unionit.
Nga ana tjetër, Beogradi ka forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.
Vuçiç gjatë hapjes së fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, deklaroi se sa kohë do të jetë në pushtet, Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO dhe u zotua për marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën.
Zyrtarë perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për influencë “malinje” në Ballkan që nxitur falë populizmi duke kërcënuar paqen në Bosnje, rihapjen e konfliktit në Kosovë si dhe trazira politike në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Moska i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, ndonëse thekson se Bosnja, Serbia dhe Kosova nuk duhet të anëtarësohen kurrë në NATO.