Në zonën e 5 majit në Tiranë, banorët po bëhen gati për banesat që do të shemben në datë 22 shkurt.
Një pjesë e tyre kanë firmosur marrëveshjen e ofruar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa një pjesë tjetër nuk e ka firmosur pasi e cilësojnë të njëanshme dhe jo transparente.
Megjithatë të dyja palët janë të paqartë për atë që do të ndodhë. Atyre iu është premtuar se do të marrin aq metra sa kanë banesën, por nuk iu është thënë se kur do të jetë gati shtëpia e re dhe në cilën zonë.
Ndërkohë, kryebashkiaku Erion Veliaj, nuk iu ka dhënë deri tani asnjë shpjegim banorëve të zonës, edhe pse VKM-ja ka dalë prej kohësh. Ai ka zgjedhur ti lërë banorët në terr informativ. Heshtja e tij lë të hapur dyshimin se ndoshta është i kapur nga ndonjë oligark që do të ndërtojë në zonën e 5 Majit.
Në këtë zonë pritet të shemben rreth 400 banesa për projektin e rindërtimit. Nuk kanë munguar protestat nga ana e banorëve, të cilët akuzojnë qeverinë se po u merr pronat dhe banesat e tyre.
Ata paralajmëruan se do të bëjnë rezistencë dhe nuk do të lejojnë shembjen pa nënshkruar kontrata të ligjshme me bashkinë e Tiranës, si dhe përcaktimin e një vendi ku dhe kur do ta përfitojnë banesën e re.