Tre banorë të zonës së 5 majit në Tiranë janë shoqëruar në polici, pasi janë përplasur me efektivët për shembjet e banesave.
Në këtë zonë vijojnë përplasjet mes banorëve dhe efektivëve që prej mëngjesit të sotëm.
Një pjesë e banorëve kanë hipur sipër çative apo mureve rrethuese dhe luten që IMT-ja të mos u shembë shtëpitë e tyre.
“Mos na i prishni shtëpitë ju lutem, i kemi me djersë. Ose na jepni një hyrje ku të futeni”, u shpreh një grua. Ndërsa një tjetër u shpreh se është gati të vritet për të mbrojtur banesën e saj.
Për të shpërndarë banorët policia hodhi edhe gaz lotsjellës.
Në këtë zonë pritet të shemben 400 banesa, si pjesë e një projekti rindërtimi.
Shumica e banorëve nuk janë dakord me kontratat e dhëna nga bashkia. Ata e quajnë këtë proces një vjedhje të pronës private.