Presidenti Vladimir Putin shprehu zhgënjimin e tij ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, në një telefonatë me homologun turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Putin shprehu zhgënjimin me reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, që u përpoqën të injoronin kërkesat dhe shqetësimet legjitime të Rusisë”, tha presidenca ruse në një deklaratë.
Erdogan mësohet të ketë mbajtur pozicionin refuzues të Turqisë për veprimet e Rusisë ndaj sovranitetit të Ukrainës, tha presidenca turke në një njoftim.
Putin diskutoi “temën e zhvillimit të garancive afatgjata sa i përket sigurisë për Rusinë dhe theksoi nevojën objektive të vendimeve të ndërmarra përballë agresionin të autoriteteve ukrainase në Donbas dhe refuzimin e tyre kategorik për t’iu përmbajtur marrëveshjes së Minskut”, deklaroi presidenca ruse.
Ndërsa në deklaratën e presidencës turke u tha se Erdogan i kishte thënë Putinit “se një konflikt ushtarak nuk do të ishte në të mirë të askujt dhe vetëm sa do t’i ndërlikonte gjërat. Është e rëndësishme që të arrihen përfundime bazuar mbi Marrëveshjen e Minskut”.
Të martën, Erdogan e quajti si të papranueshëm vendimin e Putin për të njohur pavarësinë e territoreve në lindje të Ukrainës, që janë vetëshpallur Republika Popullore e Luhanskut dhe Donetskut.