Natën e së enjtes presidenti rus, Vladimir Putin reagoi pas kërkesës së drejtuesit të separatistëve, besnikë të Moskës. Në një fjalim Putini deklaroi, se Rusia nuk mund të tolerojë kërcënimet nga Ukraina, sipas agjencisë, Interfax. Ai miratoi një operacion ushtarak në Donbas dhe kërkoi nga forcat ukrainase të dorëzojnë armët .Putin shtoi, se Rusia nuk ka për qëllim të pushtojë Ukrainën. Ai theksoi, se përgjegjësia për gjakderdhjen varet nga “regjimi” në Kiev. Ai paralajmëroi Perëndimin, se çdo përpjekje për përzierje do të ketë pasoja “që nuk janë parë”.
Sipas të dhënave të mbrojtjes kufitare ukrainase, trupat tokësore ruse kanë hyrë në Ukrainë nga disa drejtime. Ushtria ka kaluar ndër të tjera me tanke e makineri nga Gadishulli i aneksuar i Krimesë. Sipas të dhënave të saj trupat tokësore ruse kanë hyrë edhe në rajonet lindore, Luhansk e Karkiv, në Sumy në verilindje e në Çernihiv në kufi me Bjellorusinë. Sipas të dhënave të trupave ukrainase kufiri shtetëror ukrainas është sulmuar nga Bjellorusia dhe Rusia. 7 vetë kanë humbur jetën nga sulmet ruse. 15 të tjerë janë plagosur. Bëhet e ditur se 19 ushtarë janë shpallur të humbur.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka dënuar ashpër sulmin e Rusisë kundër Ukrainës. “Sulmi rus në Ukrainë është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Ai nuk justifikohet me asgjë. Gjermania e dënon këtë akt brutal të presidentit Putin në formën më të ashpër”, tha Scholz. Solidariteti i Gjermanisë i drejtohet Ukrainës dhe njerëzve që jetojnë atje. “Rusia duhet të ndalë menjëherë këtë aksion ushtarak”, kërkoi Scholz. Qeveria gjermane do të koordinojë veprimet e saj ngushtë me G7, NATO-n dhe BE. “Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e errët për Europën”, tha kancelari gjerman.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e dënoi po ashtu sulmin në Ukrainë dhe bëri të ditura sanksione kundër Rusisë. “Ne do të vendosim paketë të plotë me sanksionet më të gjera kundër Rusisë”, tha Baerbock pas një takimi të shtabit të krizës së qeverisë gjermane. “Me sulmin kundër Ukrainës, Rusia shkel rregullat elementare të rendit ndërkombëtar”. Bashkësia ndërkombëtare nuk do t’ia harrojë Rusisë këtë ditë të turpit”, shkroi Baerbock. Ministria e Jashtme gjermane kërkoi që qytetarët gjermanë të largohen menjëherë nga vendi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar një fund të menjëhershëm të sulmeve ruse kundër Ukrainës. “Franca e dënon me vendosmëri vendimin e Rusisë të nisë luftë kundër Ukrainës”, shkroi Macron në twitter. Ai i bëri thirrje Moskës të “ndalë menjëherë operacionet ushtarake”. “Franca është solidare me Ukrainën. Ajo qëndron në krah të ukrainasve dhe punon me partnerët dhe aleatët për t’i dhënë fund luftës.”
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden e kërcënoi Moskën me pasoja të rënda. “Presidenti Putin ka vendosur për një luftë me qëllim, që do të çojë në një humbje katastrofale të jetëve të njerëzve dhe vuajtje.”
Sanksionet e reja të planifikuara kundër Rusisë do të shkëpusin bankat e Rusisë nga tregjet financiare europiane. Po ashtu do të ngrijnë pasuritë ruse në BE dhe do t’i mohohet sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë ruse qasja në teknologjitë kyçe dhe tregjet.