Qytetarët e Moskës janë të tronditur nga pushtimi rus i Ukrainës, ndërsa pasojat e veprimit të Putinit në shoqëri kanë filluar të ndihen.
Moskovitët ndodhën në dilemën nëse duan të rezervojnë ushqime, apo të ruajnë dollarët amerikanë e eurot që mund të kenë. Kjo pasi rubla ruse nuk mund të shkëmbehet tashmë as me dollarin amerikan dhe as me euron.
Qe Bursa e Moskës ajo që ndaloi shkëmbenim e rublës, dhe qytetarët rusë janë në dilemë se çfarë do të ndodhë me monedhën e tyre, raporton korrespondenti i BBC në Rusi, Sergei Goryashko.
Në banka dhe në pika të këmbimit valutor në Moskë ka radhë të gjatë, ndërsa është shtuar edhe prania e policëve.
Ata që kundërshtojnë luftën ndaj Ukrainës po diskutojnë mundësinë e mbajtjes së një mitingu në Moskë këtë mbrëmje, por leja për një tubim të tillë ka gjasa që të mos jepet.
Qytetarët që kanë protestuar ditët e fundit janë arrestuar të gjithë nga policia ruse.
Sondazhet e kryera përpara fillimit të aksionit ushtarak treguan se rreth gjysma e rusëve nuk besonin në mundësinë e një lufte me Ukrainën.
Një shumicë dërrmuese e të pyeturve fajësuan NATO-n për përshkallëzimin aktual të tensioneve mes Perëndimit dhe Rusisë.