Bota NATO: Rusia nuk mund të na sulmojë, e di që jemi aleanca...

NATO: Rusia nuk mund të na sulmojë, e di që jemi aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg ka dalë në një konferencë për shtyp nga Brukseli për të prezantuar reagimin e aleancës Euro-Atlantike ndaj ofensivës ruse në Ukrainë.

“Ne sot kemi një luftë në Europë të përmasave dhe llojit që mendonim se i përkiste historisë”, deklaroi Stoltenberg.

Stoltenberg sapo ka dalë nga një mbledhje e Këshillit të Atlantikut të Veriut ku një sërë shtetesh kanë pranuar të mbajnë konsultime urgjente.

Sulmi i ‘paprovokuar dhe pajustifikueshëm’ i Rusisë ndaj Ukrainës vë në rrezik jetët e qytetarëve, tha më tej sekretari i përgjithshëm.

Stoltenberg tha se Rusia ka nisur sulme ajrore tokësore në disa qendra të mëdha urbane.

“Ky është një pushtim i qëllimshëm, gjakftohtë dhe i planifikuar prej kohësh”, u shpreh ai.

Liderët e Rusisë do të mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre të pamatura dhe jetët e humbura, kërcënoi Stoltenberg.

Stoltenberg deklaroi se sulmi i Rusisë përbën një rrezik ‘ndaj gjithë aleancës euroatlantike’.

“Ky është një moment i rëndë për sigurinë në Europë”, shtoi ai.

Ai shpjegoi se aktivizimi i planit të mbrojtjes i jep komandantëve ushtarakë më shumë autoritet për të dërguar trupa në pika të rëndësishme ku paraqitet nevoja.

“E rëndësishme është të kemi forca në vende dhe në kohën e duhur përgjatë gjithë Europës”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka trupa ushtarakë të NATO në Ukrainë dhe se nuk ekziston një plan i tillë, por pohoi se do të shtohet prezenca e trupave në vendet anëtare.

I pyetur nga një gazetar i Associated Press nëse sulmi mund të sjellë një përplasje me trupat e NATO, Stoltenberg u përgjigj:

“Kemi rritur prezencën tonë në pjesën lindore të aleancës dhe për momentin nuk shohim ndonjë mundësi që trupat ruse të kalojnë në territorin e vendeve aleate të NATO. Ata nuk do të na sulmojnë sepse ne jemi aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit, dhe Rusia e di këtë”.