Forcat ruse raportohet të kenë marrë kontrollin e aeroportit “Antonov”, i cili ndodhet rreth një orë në veri të Kievit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme e Ukrainës pas disa videove që qarkulluan në rrjetet sociale, në të cilat shiheshin helikopterë ushtarakë rusë duke sulmuar aeroportin.
Sipas njoftimeve nga shërbimi kufitar ukrainas, forcat ruse po përparojnë drejt Kievit nga veriu.
NATO aktivizon planin e mbrojtjes
“Paqja në kontinentin tonë është thërrmuar”, është mesazhi i kobshëm për Europën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në deklaratën e tij, ai është shprehur se Rusia po përpiqet të rishkruajë historinë dhe të mohojë rrugën e lirë dhe të pavarur të Ukrainës.
Detyra thelbësore e NATO-s është të mbrojë dhe përkrahë aleatët, thotë ai. “Sulmi ndaj njërit do të llogaritet si sulm ndaj të gjithëve”, shprehet Stoltenberg.
Ditën e sotme, NATO ka vendosur aplikimin e strategjisë mbrojtëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të tjera. Kjo do të thotë se Aleanca Transatlantike do të dërgojë forcat e saj kudo që të nevojitet, deklaron Stoltenberg.
Rusi-Ukrainë, çfarë duhet të dini për luftën
Ukraina është shtet kufitar me Rusinë. Është shteti i dytë më i madh në Europë në sipërfaqe, dhe është pushtuar nga Rusia, shteti i parë më i madh në botë për nga sipërfaqja.
Ukraina ka një popullsi prej rreth 44 milionë banorë, Rusia 144 milionë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se objektivi i tij është demilitarizimi i Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është zotuar se do të luftojë për lirinë e vendit të tij.
Si një republikë e ish-Bashkimit Sovjetik, Ukraina ka lidhje të forta kulturore me Rusinë, dhe rusishtja është gjuhë e folur gjerësisht në vend.
Rusia ka aneksuar pjesë nga territori i Ukrainës që prej vitit 2014, kur mori Gadishullin e Krimesë.
Si nisi pushtimi i Ukrainës?
Në një fjalim televiziv në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës, Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi një “operacion ushtarak” në krahinën lindore të Ukrainës, Donbas
Putin tha se Rusia po vepronte për vetëmbrojtje. Ai u bëri thirrje ushtarëve ukrainas të dorëzonin armët. Çdo ndërhyrje nga fuqitë e huaja kundër Rusisë do të ketë përgjigje të menjëhershme, tha Putin.
Kievi thotë se Rusia ka goditur me predha infrastrukturën ukrainase. Gjithashtu thotë se ka rrëzuar disa avionë luftarakë rusë, deklaratë që mohohet nga Moska.
Karvanët me trupa dhe tanke ruse kanë hyrë në Ukrainë nga disa drejtime. Një karvan u fut edhe nga kufiri me Bjellorusinë, në veri të Kievit. Një tjetër nga Krimea, në jug.
-Ukraina ka shpallur ligjin Marshall. Ministri i Jashtëm, Dmytro Kubela, ka bërë thirrje për sanksione shkatërruese, përfshi edhe përjashtimin e Rusisë nga sistemi swift i transfertave bankare.