Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka ndryshuar masën e sigurisë për Lefter Kokën.
GJKKO ka vendosur sërish “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit, i cili do të vijojë të qëndrojë në qelinë e paraburgimit.
Lefter Koka u arrestua disa javë më parë me urdhër të SPAK, ku është nën hetim për aferën e incineratorit të Elbasanit, pasi dyshohet se ka përfituar ryshfet në vlerën 3.7 milion euro.
57-vjeçari që ishte ministër i Mjedisit nga viti 2013 deri në 2017 në mandatin e parë të qeverisë Rama gjatë koalicionit me LSI-në, ka qenë më herë deputet dhe kryetar i Bashkisë së Durrësit.
Muajin e kaluar ai shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua për mjekim në spitalin e burgut.
Në kërkim për aferë e incineratorëve janë tre pronarët, Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
SPAK ka vazhduar hetimet në lidhje me tre incineratorët, por deri më tani Koka duket se është ‘kurbani’ i vetëm i kësaj afere, që është denoncuar vazhdimisht nga opozita.