Drejtoresha e Teatrit Shtetëror në Moskë, Elena Kovalskaya, dha dorëheqjen pas sulmeve ruse në Ukrainë, dhe e quajti Vladimir Putinin “vrasës”.
Elena Kovalskaya la postin e saj të enjten, ditën kur presidenti rus filloi sulmet vdekjeprurëse në të gjithë territorin e Ukrainës, për të vijuar edhe të nesërmen.
“Është e pamundur të punosh për një vrasës, e të paguhesh prej tij. Në shenjë protestë kundër pushtimit rus të Ukrainës, po jap dorëheqjen”, shkroi Kovalskaya në faqen e saj në Facebook.
Ajo njoftoi se projektet në Teatrin Shtetëror do t’i çojë deri në fund, në mënyrë vullnetare, pa marrë pagesë nga shteti, president i të cilit është Vladimir Putini.
Kovalskaya nuk u ndal me kaq, ajo u bëri thirrje të gjithë rusëve që t’i thonë “Jo” luftës, e të mos heshtin.
Kovalskaya është kritike arti dhe mësuese e historisë së teatrit botëror.
Ajo u bë drejtoreshë e Meyerhold Theatre and Cultural Center në vitin 2021. Ky teatër i ka ndaluar aktorët të bëjnë komente për pushtimin rus të Ukrainës.
Por veprimi i Kovalskayas për të dhënë dorëheqjen u mbështet nga qytetarët rusë, dhe bëri bujë në mediat botërore.
Me mijëra qytetarë protestuan në Rusi kundër pushtimit të Ukrainës të enjten, ku të paktën 735 u arrestuan.
“Jo luftës me Ukrainën, Putin të japë dorëheqjen”, shkruhej në pankartat e protestuesve.
Rusia i nisi sulmet ndaj Ukrainës mëngjesin e të enjtes, duke përparuar në të gjithë territorit për t’iu afruar Kievit, të premten.
Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, por duket se kjo nuk po e ndal Putinin, i cili vazhdon bombardimet në Ukrainë.