Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar liderit rus, Vladimir Putin që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.
“Përsëris thirrjen ndaj presidentit të Federatës Ruse. Po zhvillohen luftime në territorin ukrainas. Le të ulemi për bisedimet që t’i japim fund vdekjes së të pafajshmëve”, shprehet Zelenesky.
Më herët një zëdhënës i Zelensky-t tha se Ukraina është e hapur që të diskutojë për statusin neutral me Rusinë.
Ndërkohë, BBC raporton se Zelensky, ka akuzuar udhëheqësit europianë për marrjen e masave të pamjaftueshme për të ndaluar avancimin rus.
“Njësoj si në Luftën e II Botërore thatë kurrë më, por ja ku është sërish dhe ju nuk po bëni mjaftueshëm për t’u përgjigjur”, tha ai.
Zelensky shtoi se nuk është shumë vonë për të ndaluar agresionin rus nëse liderët europianë veprojnë me shpejtësi. Ai u bëri thirrje qytetarëve në Bashkimin Europian që të protestojnë dhe të detyrojnë qeveritë e tyre që të marrin veprime më vendimtare.
“Jam i sigurtë që po e shikoni këtë, të gjithë ju, e gjithë Europa. Por ne nuk po kuptojmë se çfarë do të bëni në lidhje me këtë çështje, si do ta mbroni veten kur jeni kaq të ngadaltë për të ndihmuar Ukrainën”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas si në çdo rast tjetër që prej ditës së djeshme kur ka nisur sulmi rus kishte veshur rroba ushtarake dhe foli nga zyra e tij në Kiev.