Michel Platini, legjenda e futbollit francez dhe botëror, ish-president i UEFA-s, ka folur për disa çështje aktuale të futbollit në një intervistë për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”.
“Aktualisht ndihem shumë mirë. Jam 66 vjeç, nuk u jap më dorën hipokritëve, shijoj jetën me gruan, familjen, nipërit e mbesat. Në futboll nuk kam më ëndrra. Më kërkuan të kthehesha, por nuk gjeta asnjë rol. Ndoshta do të doja të punoja për lojtarët, të merrja pushtetin në futboll. Nuk kam respekt për Infantinon dhe Ceferinin, ata bëjnë çfarë duan. Nuk do t’i fal kurrë ata që ngritën akuza të rreme dhe më lanë jashtë futbollit. Ata fituan, por unë gjithmonë do të kërkoj drejtësi.”
Kupa e Botës në Katar: “Nuk pendohem për votën, doja t’ua jepja arabëve një Botëror, ata e meritonin. Vetëm se emiri më kishte premtuar ndeshje edhe në shtete të tjera: Emiratet e Bashkuara, Dubai, Kuvajt. Sa keq!”
Topi i Artë i Messit: “Unë nuk jam dakord. Kush e ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian? Jorginho.”
Trashëgimtarët e tij në futbollin aktual: “Nuk kam asnjë, sepse nuk ka më numra 10, por regjisorë të tërhequr si Jorginho dhe Pirlo. Ndoshta nuk do të luaja në këtë futboll”.
Cristiano Ronaldo dhe Juventusi: Me gjithë respektin e duhur për të dhe Messin, në moshën 32 vjeçare thashë “mjaft”. Munda të shkoja në Barcelonë, Marsejë, por doja të identifikohesha me klubin me të cilin kishim shkruar historinë. Ronaldo ishte Real Madridi dhe Messi, Barça, nuk do të kisha shkuar në një klub tjetër të madh, por në SHBA apo Kinë”.
Trashëgimtari i CR7 dhe Messit: “Mbappé! Shumë i fortë, shumë i shpejtë. Tani ai është në krye.”
Struktura e futbollit: “I gjithë futbolli profesionist duhet të ndryshojë qasjen. Ne kemi nevojë për një Ligë të përbërë vetëm nga presidentë. UEFA dhe FIFA merren me ekipet kombëtare. Unë flas për Ligën, jo për Superligën, një kampionat me strukturë administrative. Nuk jam dakord me një kampionat të mbyllur”.
Trajneri që i pëlqen: “E admiroj shumë Pep Guardiolën, në të gjitha skuadrat ku shkon ai gjithmonë përpiqet të zbatojë atë që ka mësuar në Barcelonë nga Johan Cruyff”.
Veteranët si Ibrahimovic: “Lojtar i mrekullueshëm, argëtues në fushë dhe jashtë saj, me personalitet. Sigurisht që ai është 40 vjeç dhe gjithnjë e më shumë po luajnë deri në atë moshë, si Chiellini. Është e vërtetë që ata mund të mos dinë çfarë të bëjnë kur të dalin në pension“.