Nëse konflikti Rusi-Ukrainë do të vazhdojë, pasojat do të ndihen edhe në vendet e tjera.
Në Shqipëri efekti do të jepet direkt në turizëm, pasi vizitorët nga Ukraina janë tetëfishuar në 6 vitet e fundit.
Në 2014 erdhën mbi 14 mijë turistë, ndërsa në 2021 u regjistruan mbi 110 mijë turistë. Në këtë situatë të jashtëzakonshme, sot tur-operatorët dhe hotelierët flasin për pezullime të fluturimeve nga Ukraina dhe Rusia.
“Quhet ‘pending’, quhet i pezulluar, se nuk ka asnjë lloj logjike që tani ne të pretendojmë që do vijnë 20 apo 20 e ca avionë charter në javë me situatën që është. Të gjithë rezervimet e deritanishme, por edhe të gjithë ato që ishin parashikuar të vinin sipas kontratave në Shqipëri, do të quhen të pezulluara”, tha për Euronews Albania Rrahman Kasa, kryetari i Shoqatës së tur-operatorëve.
Turistët ukrainas janë shumë të rëndësishëm për biznesin e turizmit shqiptarë. Janë turistë që zënë rreth mbi 20% të tregut të turizmit shqiptar. Përveç kësaj janë edhe turistë që përveçse pushojnë në strukturat hoteliere shqiptare, ata janë edhe të interesuar historinë dhe kulturën shqiptare.
Operatorët dhe sipërmarrësit shpresonin që 2022 do të kapte shifrat e vitit më suksesshëm turistik deri më tani atë të 2019, që regjistroi mbi 5 milionë vizitorë të huaj.
“Në qoftë se viti që kaloi kishte 12 deri në 14 avionë në javë, sivjet pretendonim që mund të vinin nga 16 deri në 18 avionë në javë nga Ukraina. Turistë, të cilët nëse konflikti do të zgjasë, nuk do të jenë pjesë hoteleve tona dhe do të jetë një dëm shumë i madh ekonomik për hoteleritë shqiptare”, shprehet Fatos Çerenishti, sipërmarrës.
Aktorët kryesorë në turizmin vendas shpresojnë që kjo situatë mos të ndikojë as në vendet e tjera sidomos në Poloni, e cila mban vendin e parë për numrin e turistëve që sjell në Shqipëri.