Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarët për qëndrimin e Serbisë në raport me luftën Rusi-Ukrainë, ka thënë se shteti serb ka mbajtur një qëndrim “të dyzuar tipik të politikës së jashtme serbe”.
Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare tha se ka mësuar që Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërkuar respektimin e integritetit territorial të Ukrainës.
“Serbia është një rast për ata që s’lënë rast pa u marrë me Ballkanin e Hapur. Ne nuk kemi pasur mungesë qartësie apo informacioni për pozicionin e Serbisë nga pikëpamja e vet e jashtme kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur që të sulmohet Ukraina nga Rusia që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë. Nga ana tjetër në informacionin paraprak që kam marrë, Presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës. Pra një qëndrim i dyzuar tipik për politikën e jashtme serbe. Ndërkohë që sot çka po diskutojmë është goxha më e rëndësishme”, u shpreh Rama.
Vuçiç: Mbështesim integritetin e Ukrainës, po nuk i vëmë sanksione Rusisë
Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç bëri publik sot qëndrimin e Serbisë sa i përket konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një konferencë për mediat, Vuçiç tha Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.
Ai u shpreh se Serbia i sheh rusët dhe ukrainasit si popuj vëllazërorë, por shtoi se vendi i tij është e përkushtuar ndaj parimit territorial.
“Serbia do të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat kur të vendosë për masat kufizuese dhe sanksionet ndaj një vendi, përfshi Rusinë”, u shpreh Vuçiç.
Sipas tij, Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme “të përgjegjshme e parimore”. Për këtë sipas tij, e ka paguar gjithmonë shtrenjtë.
“E di se kjo nuk do t’u pëlqejë të gjithëve, do të ketë kundërshtime por kemi bërë më të mirën që kemi mundur. Serbia ka pasur shumë lufta, shumë humbje njerëzish. Kjo flet për atë se ne duhet të jemi krejt bashkë, të ruajmë njerëzit tanë”, deklaroi presidenti i Serbisë.