Sanksionet e sistemit SWIFT ndaj Rusisë do të mund ta dërrmonin atë, por Perëndimi do t’i ndjente gjithashtu pasojat.
Nëse Rusia do të shkëputej nga ky sistem global, pasojat do të ishin të menjëhershme dhe afatgjata, por dhimbja do të ndjehej edhe nga bankat e huaja.
Çfarë është SWIFT?
Ky sistem e ka selinë kryesore në Belgjikë, dhe përdorët nga mbi 11,000 institucione financiare në më shumë se 200 shtete të botës, për t’i dërguar apo transferuar para dhe informacion njëra-tjetrës.
Është një hallkë tejet e rëndësishme në sistemin financiar botëror dhe mbikqyret kryesisht nga bankat qendrore të Amerikës, Japonisë dhe Europës.
Ministri i jashtëm i Ukrainës ka bërë vazhdimisht thirrje që Rusia të shkëputet nga SWIFT dhe këto thirrje janë mbështetur edhe nga shtete të tjera përfshi Republikën Çeke apo edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Por unanimieti në Europë deri tani ka munguar, dhe duket se Gjermania po kthehet në pengesën kryesore për ta hequr Rusinë nga SWIFT.
Çfarë do t’i ndodhte Rusisë?
Ky sanksion do të kishte një ndikim madhor mbi ekonominë ruse duke e dëmtuar atë menjëherë dhe në terma afatgjatë.
Fillimisht, Rusia do të shkëputej nga shumica e transaksioneve financiare globale, përfshi këtu përfitimet nga tregu global i naftës dhe gazit, të cilat përbëjnë plot 40% të të ardhurave të Rusisë.
Në vitin 2012, bankat iraniane u hoqën nga sistemi SWIFT si pjesë e sanksioneve të ashpra që Perëndimi i vendosi Teheranit si pasojë e programit të tij nuklear.
Irani humbi gjysmën e të ardhurave nga eksporti i naftës dhe 30% të tregtisë së huaj, sipas Institutit Carnigie Moscow.
Atëherë kujt i druhet Perëndimi?
Ky sanksion do ta bënte po aq të vështirë që kreditorët të merrnit mbrapsht paratë e investuara.
Mes shteteve perëndimore, SHBA dhe Gjermania janë ato që do të humbnin më shumë nga ky sanksion, pasi bankat e tyre janë ato që kanë më tepër përdorues të SWIFT që kryejnë transaksione me bankat ruse.
Guvernatori i Bankës së Anglisë tregoi javën e shkuar se bankat britanike janë më pak të ekspozuara ndaj transaksioneve me Rusinë.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia është kërcënuar të hiqet nga sistemi SWIFT. Në fakt, ajo i ka marrë të njëjtat kërcënime që në vitin 2014 gjatë aneksimit të Krimesë.
Që atëherë, rusët nisën të ndërtojnë një sistem pagesash alternativ i cili do të mund të përdorej mes Rusisë dhe bankave në tregjet e huaja, por deri tani ai nuk duket se e ka gjetur përkrahjen e duhur për t’u përdorur në masë, edhe pse arsyeja kryesore për këtë mund të ketë qenë mungesa e nevojës.
Nëse Rusia do të përballej me këtë sanksion, një gjë është e sigurtë, ajo e ka një sistem të gatshëm për ta zëvendësuar sistemin SWIFT, por suksesi i këtij sistemi dhe pasojat e këtyre sanksioneve mbi Rusinë – nëse Perëndim vendos t’ia imponojë – do të mbeten për t’u parë.