Bota Ukraina pretendon se ka vrarë 4300 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar qindra...

Ukraina pretendon se ka vrarë 4300 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar qindra mjete ushtarake

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës ka nxjerrë një raport sipas të cilit rezulton se humbjet e Rusisë në përballjen me Ukrainën janë shumë të mëdha.

Në një postim në Facebook të zv. ministres Hanna Malyar thuhet se forcat ukrainase në tre ditë luftime kanë vrarë 4300 ushtarë rusë dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e tyre ushtarake.

Në përballje me rezistencën ukrainase, Rusia sipas zv.ministres ka humbur 27 avionë, 26 helikopterë, 146 tanke, 706 mjete luftarake të blinduara, 49 topa, sisteme të mbrojtjes raketore etj.

Malayar shtoi se shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojnë nga momenti në moment.

Edhe inteligjenca ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar ka raportuar se ushtria ruse ka hasur vështirësi të shumta në përballjen e saj me ushtrinë ukrainase në të gjithë vendin.

Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se Rusia po përparon në Ukrainë “nga boshtet e shumta”, ndërsa ndeshet me “rezistencë të fortë” nga ushtria ukrainase.