Federata Shqiptare e Futbollit do të shtyjë zgjedhjet për presidentin e ri.
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për pezullimin e Armand Dukës nga funksionet, ky i fundit njofton se pranon shtyrjen e zgjedhjeve.
Duka përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se do të propozojë zhvendosjen e zgjedhjeve në një datë tjetër.
“Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asamblesë që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër”, shkruan Duka.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës ka pezulluar Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, ndryshe nga pesë vendimet e mëparshme të gjykatave, të cilat kanë qenë të karakterit civil, vendimi i sotëm është penal dhe Armand Duka rrezikon të ndiqet penalisht.
Po i njëjti vendim është marrë dhe për Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulkun.
Vendimi për pezullimin e kreu të FSHF është marrë nga gjyqtari Artan Gjermeni.
Për Armando Dukën, Prokuroria ka kërkuar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrës si person nën hetim i dyshuar për shpërdorim detyre.
Hetimet për falsifikim dhe shpërdorim detyre po kryen nga prokurori Arben Agovi.