Njësia elitare luftarake çeçene e dërguar në Ukrainë për të vrarë presidentin Volodymyr Zelenskyy është neutralizuar.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Kievit, Oleksiy Danilov, tha se njësia “e cila erdhi për të vrarë Presidentin tonë, u eliminua”, gjatë një fjalimi televiziv.
Danilov deklaroi se njësia u ndoq nga afër që kur erdhi në Ukrainë dhe se u neutralizua.
Grupi elitar u dërgua në Ukrainë nga Ramzan Kadyrov, udhëheqës i rajonit rus të Çeçenisë dhe një aleat i presidentit rus Vladimir Putin.
Duke folur në kanalin televiziv “Ukraina 24”, Danilov u shpreh si më poshtë.
“Ne tashmë jemi në dijeni të operacionit special që do të kryhej nga njësia e forcave të Kadyrov.
Ne e morëm informacionin nga përfaqësues të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë, të cilët nuk duan të marrin pjesë në këtë luftë të përgjakshme.
Njësia e forcave Kadyrov, e cila erdhi për të vrarë Presidentin tonë, u eliminua”, u shpreh Danilov, raporton The Mirror.
Sipas tij, një grup është vënë nën zjarr në Hostomel, ndërsa një grup tjetër aktualisht po mbahet nën kërcënimin e armëve.
Danilov shtoi: “Ne nuk do t’ia japim askujt presidentin dhe vendin tonë. Kjo është toka jonë, largohuni nga këtu.”
Në orët pasi Rusia pushtoi të enjten në mëngjes, Zelensky u fsheh dhe tha se kishte frikë për jetën e tij dhe të familjes së tij.
Ai tha në një video-mesazh nga vendndodhja e tij sekrete, se ishte shënuar “objektivi numër një” nga forcat ruse në një mision për ta ‘rrëmbyer’ atë dhe për të marrë kontrollin e kryeqytetit.
Ai pohoi se jeta e familjes së tij është në rrezik nga “grupet sabotuese” ruse që ishin zhvendosur në kryeqytet.
Gjatë fundjavës, më pas u raportua se rreth 400 mercenarë po vepronin në Kiev nën urdhrat e Kremlinit për të vrarë Zelensky.
Ndërkohë, pretendohet se milicia e frikshme e armatosur nga Grupi Wagner u dërgua në kryeqytet nga Afrika pesë javë më parë.